Borrell: Situata në Bosnjë-Hercegovinë, më shqetësuese se kurrë
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, shprehu shqetësimin e tij për situatën në Bosnje e Hercegovinë, një ditë pasi nacionalistët kroatë të këtij vendi paralajmëruan se mund të formojnë rajonin e tyre.
Borrell i paralajmëroi udhëheqësit e tjerë në Konferencën e Sigurisë, që u mbajt në fundjavë në Mynih të Gjermanisë, se situata në Bosnje është “më shqetësuese se kurrë”.
Bosnja tashmë është e ndarë në Federatën Boshnjake-Kroate dhe në entitetin e mbizotëruar nga serbët, i njohur si Republika Sërpska.
Ndarja e tillë është bërë me Marrëveshjen e Dejtonit, të vitit 1995, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje midis serbëve, kroatëve dhe boshnjakëve.
“Situata në Bosnje është më shqetësuese se kurrë. Nuk ka qenë kurrë e lehtë, por tendencat devijuese tani janë vërtet shumë shqetësuese”, tha Borrell.
Autoritetet shtetërore të Bosnjës dhe komuniteti ndërkombëtar tashmë po përballen me përpjekjet për ndarjen e Bosnjës, të udhëhequra nga lideri serb i këtij vendi, Millorad Dodik, i cili është edhe anëtar i Presidencës trepalëshe.
Më 19 shkurt, organi që përfaqëson disa parti politike kroate në Bosnje kërcënoi se do të fillojë të punojë drejt krijimit të rajonit kroat në këtë vend, nëse ligjet zgjedhore nuk ndryshojnë në atë mënyrë që të rrisin përfaqësimin e kroatëve në nivel kombëtar.
Parlamenti Kombëtar Kroat, i udhëhequr nga partia më e madhe etnike kroate, HDZ, tha në një seancë të jashtëzakonshme se dështimi për të arritur marrëveshje për ndryshimet zgjedhore, do të sinjalizonte mungesën e kushteve për votim.
Zgjedhjet e përgjithshme në Bosnje pritet të mbahen në tetor.
Udhëheqësi i HDZ-së, Dragan Çoviq, tha më 19 shkurt se bisedimet e nisura vitin e kaluar me krerët boshnjakë për reformën e Ligjit Zgjedhor, duhet të rifillojnë këto ditë, por ai paralajmëroi se mungesa e marrëveshjes mund të çojë në bojkotimin e zgjedhjeve.
Sipas Ligjit Zgjedhor në Bosnje, qytetarët e Federatës zgjedhin dy anëtarë të Presidencës, ku njëri duhet të jetë boshnjak dhe tjetri kroat, ndërsa qytetarët e Republikës Sërpska zgjedhin anëtarin serb.
Pakënaqësia e kroatëve me aleancën e tyre me boshnjakët ka nisur të rritet qysh në vitin 2006, kur një kroat nga një parti multietnike është zgjedhur anëtar i Presidencës dy herë radhazi.
Ata tani duan garanci që anëtari kroat i Presidencës të zgjidhet nga votimi ekskluziv i kroatëve në zonat me shumicë kroate në Bosnje.
Shumë të huaj e konsiderojnë krizën aktuale në Bosnje si më të keqën që nga përfundimi i luftës, më 1995.
Udhëheqësi serb i Bosnjës, Dodik, akuzoi të dielën “administratën amerikane dhe atë të Brukselit” për “favorizim të shumicës myslimane të Bosnjës” në atë mënyrë që, siç tha, e destabilizon Bosnjën në afat të gjatë.
Dodik tha se nuk sheh asgjë të diskutueshme në kërcënimet e Parlamentit Kombëtar Kroat.
Borrell kërkoi “përgjegjësi nga liderët politikë në Bosnje” për të parandaluar, siç tha, “shpërbërjen e vendit”.
Ai u bëri thirrje atyre që t’i kryejnë reformat e nevojshme kushtetuese dhe zgjedhore.
“Ne nuk do të pranojmë ndarjen dhe shpërbërjen e Bosnjës”, tha Borrell në Mynih.
Ai tha se ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë situatën në Bosnje në takimin e Këshillit të Punëve të Jashtme, më 21 shkurt./REL
Rruga Press