Bota

Boris Johnson dhe festat e papërshtatshme

Kryeministri britanik Boris Johnson po përballet me dy hetime mbi pretendimet se ai dhe zyra e tij shkelën në mënyrë të përsëritur kufizimet e qeverisë për COVID, duke organizuar festa në ambiente të brendshme dhe të jashtme.

Disa nga pretendimet janë mbështetur me foto, video dhe shkëmbime me e-mail. Të tjerat mbështeten në burime qeveritare.

Qeveria i ka kërkuar falje Mbretëreshës Elisabeth për dy festa në muajin prill, që ishin organizuar pas vdekjes së bashkëshortit të saj.

Johnson, gjatë një fjalimi në Parlament kërkoi falje edhe për eventin “merrni alkool me vete” që u organizua në një oborr më 20 maj 2020.

Në shumicën e rasteve, zyra e Johnson ka thënë se grumbullimet ishin “për punë”.

Të martën, Policia Metropolitane njoftoi një hetim penal për “shkeljet e mundshme” të rregullave të karantinës gjatë dy viteve të fundit, në Downing Street dhe ndërtesa të tjera qeveritare në Londër.

Nëpunësi civil Sue Grey po drejton një tjetër hetim, me një raport që pritet këtë javë.

Këtu është një përmbledhje e pretendimeve që ata mund të shikojnë.

Djathë e verë në oborr

The Guardian ka publikuar një foto të një feste që u organizua në oborrin e kryeministrisë më 15 maj 2020, kur grumbullimet e më shumë se 2 vetave ishin të ndaluara.

Në fotografi shihen kryeministri, bashkëshortja e tij, 17 anëtarë të stafit dhe shishe të verës,

Qeveria tha se stafi po diskutonin për punë.

Festa “merrni alkool me vete”

Asistenti personal i Johnson, Martin Reynolds, u dërgoi një email dhjetëra punonjësve, duke i inkurajuar ata që të “sillnin pijen tuaj” në një festë më 20 maj 2020 – në një kohë kur qytetarët e kishin të ndaluar me ligj të takoheshin me më shumë se një person jashtë familjes së tyre.

Johnson pranoi se mori pjesë në këtë festë “për 25 minuta”.

“Në fund të fundit, duhet t’i kisha kthyer të gjithë brenda dhe duhet të kisha gjetur një mënyrë tjetër për t’i falënderuar,” tha kryeministri.

Ditëlindja e Johnson

ITV News raportoi se gruaja e Johnson, Carrie, ndihmoi në organizimin e një feste surprizë për ditëlindjen e kryeministrit, ku morën pjesë rreth 30 persona.

Të ftuarit thuhet se kënduan “Happy Birthday” ndërsa Johnson-it iu dhurua një tortë.

Po atë mbrëmje, familja dhe miqtë u mblodhën brenda rezidencës Johnson.

Një zëdhënës i Downing Street tha për The Washington Post se anëtarët e stafit “u mblodhën shkurtimisht në dhomën e kabinetit pas një takimi për t’i uruar Kryeministrit ditëlindjen. Ai ishte aty në më pak se 10 minuta.”

Lexo më shumë  Kuleba: Trump nuk mund të bëjë marrëveshje paqeje me Rusinë për Ukrainën

Zëdhënësi tha se Johnson priti një numër të vogël anëtarësh të familjes jashtë atë mbrëmje.

Festë sipër Kryeministrisë

Më 13 nëntor 2020, në të njëjtën ditë kur u pushua nga puna këshilltari kryesor Dominic Cummings, dyshohet se kishte një festë në rezidencën e Johnson dhe gruas së tij.

Sipas Cummings, ftesa zyrtare u dërguan për këtë festë.

I pyetur nëse kishte një festë në këtë datë, Johnson i tha Parlamentit: “Jo, por jam i sigurt se çfarëdo që të ketë ndodhur, udhëzimet janë ndjekur dhe rregullat janë ndjekur në çdo kohë”.

Festë “e improvizuar” brenda një zyre qeveritare

Stafi pinte pije për të festuar rishikimin e shpenzimeve të kancelarit Rishi Sunak.

Një zëdhënës i Thesarit tha se një “numër i vogël” punonjësish festuan në tavolinat e tyre të punës.

Baret në qytet ishin mbyllur në atë kohë për shkak të rregullave për mospërhapje të coronavirusit.

Një festë lamtumire

Johnson citohet të ketë thënë se sa e mbushur me njerëz ishte dhoma brenda Kryeministrisë përpara se të mbante një fjalim.

The Guardian raportoi se ishte një festë e improvizuar lamtumire për ndihmësin Cleo Watson.

“Pije dhe kanape” në Departamentin e Arsimit

Departamenti i Arsimit pranoi se ka mbajtur një festë për Krishtlindje më 10 dhjetor 2020, me stafin që mblidhej brenda ndërtesës pas punës – pavarësisht se grumbullimet edhe mes familjeve u ndaluan.

“Tubimi u përdor për të falënderuar stafin për përpjekjet e tyre gjatë pandemisë,” tha një zëdhënëse, duke shtuar se, në këndvështrimin e mëparshëm, do të kishte qenë “më mirë të mos ishe mbledhur në këtë mënyrë në atë kohë të caktuar”.

“E premtja e verës”

Mirror raportoi se stafi qeveritar mbajti festa në ditët e premte, të cilat u përsëritën gjatë gjithë pandemisë.

Gazeta publikoi një foto të asaj që thuhej se ishte një frigorifer vere me 34 shishe që po dorëzohej nga dera e pasme e ndërtesës së qeverisë më 11 dhjetor 2020.

Kapele feste dhe alkool në një tjetër festë Krishtlindjesh

Stafi i Qeverisë thuhet se ishte mes të pranishmëve në një festë të 14 dhjetorit 2020, në selinë e Partisë Konservatore.

Dyshohet se në festë kishte muzikë deri në orët e para të mëngjesit, pavarësisht kufizimeve në Londër.

Ish-kandidati për kryebashkiak të Londrës Shaun Bailey kërkoi falje pasi u shfaq një foto dhe dha dorëheqjen si kryetar i komitetit të policisë dhe krimit të Asamblesë së Londrës.

Lexo më shumë  Kryeministri suedez deklaron se Deti Baltik tani është “në rrezik të lartë” pas sabotimit të dyshuar me kabllo

Një pyetësor për Krishtlindje

Më 15 dhjetor 2020, Kryeministria organizoi një pyetësor për stafin. Përmes një fotografie të publikuar në Mirror, shihet edhe kryeministri duke lexuar një pyetje, i rrethuar me njerëz që po festonin.

Në atë kohë, kontaktet me njerëz tjerë ishin të ndaluara.

Nga Kryeministria u tha se Johnson “mori pjesë shkurtimisht virtualisht” për të falënderuar anëtarët e stafit për punën e tyre gjatë krizës shëndetësore.

‘Duke pirë e kërcyer’ në Departamentin e Transportit 

Stafi në Departamentin e Transportit piu dhe kërceu pas punës më 16 dhjetor 2020, pasi Londra u vendos në “gatishmëri shumë të lartë” dhe u detyrua të hynte në kufizimet të rrepta për shkak të pandemisë.

Departamenti ka kërkuar falje për ngjarjen “e papërshtatshme” dhe për “gabimin e gjykimit” të stafit të tij.

Festat e stafit të kabinetit

Më 17 dhjetor 2020, derisa Anglia ishte në izolim, anëtarët e stafit nga zyra e kabinetit u mblodhën për t’i thënë lamtumirë Kate Josephs, një ish-nëpunëse e lartë civile që drejtoi task-forcën e qeverisë për coronavirusin.

Josephs ka kërkuar falje që atëherë.

Në një mbledhje të veçantë në të njëjtën ditë, stafi i Sekretarit të Kabinetit Simon Case mori pjesë në një “Festë të Krishtlindjeve”. Një zëdhënës i qeverisë tha se ishte një “kuiz virtual” dhe se Case nuk mori pjesë, por kaloi nëpër zyrë.

Edhe një festë Krishtlindjesh

Më 18 dhjetor 2020, stafi i Kryeministrisë thuhet se u mblodh për të shkëmbyer dhurata, për të pirë verë dhe për të ngrënë djathë në një ngjarje që shkelte rregullat.

Festë lamtumire për një këshilltar

Mirror pretendon se Johnson mbajti një fjalim në një festë lamtumire për largimin e këshilltarit e tij të atëhershëm të mbrojtjes, Steve Higham, pak para Krishtlindjeve 2020.

Johnson dyshohet se ishte “aty për disa minuta për ta falënderuar për shërbimin e tij”, sipas raportit.

Ministria e Mbrojtjes nuk pranoi të komentojë.

Ahengje në ditë zie

Në prag të varrimit të Princit Philip, më 16 prill, punonjësit organizuan dy festa për kolegët që kishin dhënë dorëheqje.

Të nesërmen, Mbretëresha Elizabeth u fotografua e vetme në varrimin e burrit të saj prej shtatë dekadash, sepse ajo u përmbahej kufizimeve të coronavirusit të vendosura nga qeveria e Johnson.

Kryeministria kërkoi falje dhe shprehi “thellësisht për keqardhje” që këto festa ndodhën në mes të “zisë kombëtare” dhe gjatë një kohe takimet në ambiente të mbyllura ishin të ndaluara.

Rruga Press

YouTube player