Lajme

Bordi i transparencës mban të pandryshuar çmimin e vajit të lulediellit, sa lekë është litri

Bordi i transparencës për çmimet e shportës ka mbajtur të pandryshuar çmimin e tregtimit të vajit të lulediellit.

Në mbledhjen e zhvilluar për këtë javë bordi vendosi që çmimi i vajit të lulediellit për tregtimin me shumicë do të vazhdojë të jetë 315 lekë dhe për shitjet në supermarkete 321 lekë për litër.

Shitja e vajit të lulediellit në këto nivele ka mbetur i pandryshuar për 2 javë rresht. Në mbledhjen e zhvilluar më 29 mars  bordi i transparencës përcaktoi që çmimi të ishte 299 lekë nga kompanitë e shumicës dhe 305 lekë për litër nga tregtarët e pakicës.

Me marzhin e pandryshuar të fitimit për grosistët 2 lekë dhe 4 lekë për supermarketet dhe me shtrenjtimin e çmimit të vajit ushqimor në tregjet e huaja nga 360 deri 430 lekë duke përfshirë koston e TVSH-së, aktorë të tregut pohojnë se janë dëmtuar disa operatorë, ndërsa të tjerë do të dëmtohen nga situatat e ardhshme.

Lexo më shumë  Hargreaves takohet me Haxhiun, mirëpret ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe buxhetit 2026

“Pozicionet e operatorëve në treg do të ndërrohen. Mund të fitojnë ata që po humbasin sot dhe do të humbasin ata që aktualisht po fitojnë, pasi do të blejnë vajin e lulediellit me çmim më të shtrenjtë. Pra mesatarisht marzhi që është lënë në dispozicion nga bordi del i përgjysmuar”, pohoi për “Monitor” një nga importuesit e vajit të ambalazhuar në vend.

Pas nisjes të luftës, në tregun e shitjes me pakicë vaji i lulediellit ka pësuar rritjen më të lartë të çmimit në produktet e shportës ushqimore. Në muajin mars çmimi i vajit të lulediellit u tregtua 330 lekë për litër nga 249 lekë për litër që ishte në muajin shkurt (32,5% rritje). Pas kësaj periudhë çmimi u rrit edhe rreth 9% dhe arriti 370 lekë për litër.

Importuesit nënvizuan se rritja e çmimeve të vajit edhe për shkak të bllokimit të furnizimeve nga Rusia dhe Ukraina që përbëjnë 80% të prodhimit botëror të farës të lulediellit. Rusia, Ukraina, Hungaria, Serbia dhe Bullgaria janë furnizuesit kryesorë të tregut shqiptar me vaj ushqimor luledielli.

Lexo më shumë  Izolohet totalisht juglindja, s'ndalet shembja në Librazhd - Prrenjas, e rrezikshme edhe për këmbësorët

Më pas e ndjekin edhe shtete të tjera të Europës, si Italia, Gjermania dhe Greqia, por në sasi më të vogël. Varësia e lartë nga importet ku luhatjet e çmimeve janë të shpeshta ka ndikuar për reflektimin e tyre me shpejtësi në tregun vendas.

Sipas të dhënave të doganave importet e vajit të lulediellit në 2021 u rritën 8% më shumë se 2020. Importet nga Rusia u rritën me 10% në 2021-n në krahasim me një vit më parë, duke përbërë 17% të totalit. Në të njëjtën linjë u rritën importet nga Hungaria (3,5%), Italia (4%), ndërsa importet nga Ukraina pësuan rënie 7%. /Monitor

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *