“Bolero në vilën e pleqve” shpallet “Filmi më i mirë” në festivalin në Paris
Filmi “Bolero në vilën e pleqve” me regji nga Spartak Pecani fitoi çmimin “Filmi më i mirë” në “Paris Play International Film Festival”.
Festivali zhvilloi edicionin e 16-të këtë dhjetor dhe u zhvillua online për shkak të pandemisë dhe merrnin pjesë në konkurrim prodhime të ndryshme kinematografike të huaja.
Prodhim i shtëpisë kinematografike “Eclipse SA Film”, ky është çmimi i dytë që merr këtë dhjetor ky film pas atij më parë në festivalin e Varshavës në Poloni për skenarin më të mirë. Filmi është mbështetur mbi romanin me të njëjtin titull të Fatos Kongolit.
Lajmin për çmimin e filmit në festivalin në Paris të Francës e ka publikuar edhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë.
“Filmi ‘Bolero në vilën e pleqve’, regjia Spartak Pecani, skenari Linda Fejzaj prodhim i shtëpisë kinematografike ‘Eclipse SA Film’, fitoi çmimin ‘Filmi me i mirë’ në ‘Paris Play International Film Festival’”, thuhet në njoftimin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.
Në rolet e filmit përmendim aktorët e njohur Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, Gentiana Ramadani, Olta Daku, Olta Gixhari, Merita Dabulla, Afrim Muçaj apo Ledjon Zoi. Muzika e filmit është nga Endri Sina dhe kostumografia e Gerta Oparakut.
Në qendër të filmit janë një çift pleqsh që janë të detyruar të jetojnë të vetëm në fundin e jetës së tyre edhe pse kanë tre fëmijë. Biri i tyre u siguron një punëtore shtëpie, në dukje një vajzë e qetë dhe e përkushtuar, por vajza e pleqve që në impaktin e parë duket se nuk e pëlqen aspak mysafiren e re në shtëpinë e prindërve. Kjo do të bëjë që ajo të shkojë përtej pyetjeve të drejtpërdrejta, duke bërë që të zhbirojë mbi jetën e saj nga ku mëson se me kë ka të bëjë. Punëtorja që jeton në vilë ka një të kaluar të errët për mendimin e vajzës së pleqve, për më tepër edhe prirjet e saj janë në kundërshti me parimet dhe principet që ajo ka. Filmi përcjell mënyrën e sotme të të jetuarit, si dhe dramën shqiptare që kalon në modernitet ku harresa është aq e dhimbshme sa edhe gjithë dramat e tjera dhe zhvillohet aty ku ka pamundësi të marrëdhënieve familjare.