“Bloomberg”: Perëndimi s’mund të lejojë që Kosova të zhbëhet
Në një analizë të publikuar të enjten, mediumi prestigjioz amerikan “Bloomberg” ka bërë thirrje që shtetet perëndimore t’i kushtojnë vëmendje më të madhe situatës në Kosovë. “Perëndimi s’mund të lejojë që Kosova të zhbëhet”, është titulli i analizës.
Siç ka shkruar “Bloombergu”, dy dekada qëkur NATO-ja ndërhyri për të ndalur spastrimin etnik në Kosovë, rajoni i Ballkanit është sërish në rrezik. Sipas analizës së redaktorëve të këtij mediumi, përshkallëzimi i fundit i tensioneve në veri rrezikon trupat e NATO-s të stacionuara në Kosovë.
“Teksa qeveritë perëndimore janë të fokusuara në Ukrainë, mosmarrëveshja e gjatë Kosovë-Serbi mund të duket si shpërqendrim, por injorimi i problemit do të ishte një gabim. SHBA-ja dhe Evropa duhet të ushtrojnë presion më të madh mbi dyja palët që të kthehen në tryezën e bisedimeve dhe të shmanget një luftë tjetër ballkanike, para se të fillojë”, thuhet në këtë analizë.
“Bloombergu” ka vazhduar duke komentuar marrëveshjen e 2013-s për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Megjithatë, siç shkruan ky medium, kryeministri Albin Kurti kundërshton të bëjë koncesione përderisa Qeveria e Serbisë në Beograd të mohojë të drejtën e Kosovës për ekzistencë. Siç shkruhet në analizë, tensionet u intensifikuan edhe në vjeshtën e 2022-s, kur Qeveria e Kosovës vendosi të implementojë vendimin për t’i ndaluar targat ilegale të veturave, të lëshuara nga Serbia. Serbë lokalë bllokuan rrugët në veri edhe në dhjetor, kur u arrestua ish-polici serb Dejan Pantiq, nën dyshimin se ka sulmuar Policinë e Kosovës dhe Komisionin Komunal Zgjedhor që përgatitej për zgjedhje pas dorëheqjeve në veri, si protestë pas vendimit të Qeverisë për targat. Pas tensioneve edhe zgjedhjet janë shtyrë.
BE-ja ka caktuar afat kohor që Kosova e Serbia deri në mars të arrijnë marrëveshje për normalizim raportesh, sipas “Bloombergut”. “Edhe pse perspektivat për sukses duken të zbehta, alternativa është më e keqe”, thuhet në këtë analizë që vazhdon se negociatat e dështuara do të nxisnin tensione të mëtejme.
“Evropa s’mund të përballojë një tjetër luftë. Parandalimi kërkon rritje të angazhimit në rajon dhe mbështetjen te të gjitha palët për vazhdim të dialogut. Diplomatët perëndimorë duhet t’i bëjnë presion Kurtit të pezullojë politikat që shihen si provokuese nga pakica serbe e Kosovës, për sa kohë që serbët të ndalin sulmet ndaj policisë dhe zyrtarëve të Qeverisë. BE-ja duhet të përjashtojë avancimin e aplikimit të Serbisë për anëtarësim në union, derisa Beogradi të zotohet për një afat kohor për njohjen e sovranitetit të Kosovës. Nga ana e saj, SHBA-ja duhet t’ia bëjë të qartë liderëve të Kosovës se gatishmëria e NATO-s për t’i mbajtur forcat në terren s’është e pacaktuar. Mbështetja e vazhdueshme ushtarake perëndimore për Kosovën duhet të kushtëzohet nga shenjat e përparimit drejt një zgjidhjeje paqësore që i jep vetëqeverisje më të madhe për komunitetin serb”, thuhet në analizë.
Për dekada, shtetet e Ballkanit, sipas “Bloombergut”, kanë ngecur të shmangin historinë e ndarjes dhe konflikteve. “Diplomacia e qëndrueshme perëndimore është e nevojshme për të shmangur një luftë tjetër në rajon – dhe për të filluar ndërtimin e një të ardhmeje më shpresëdhënëse për popujt”, përfundon ky opinion.
Rruga Press