Gjeopolitikë

Bllokada e Putinit në Detin e Zi rrezikon të lerë pa ushqim miliona njerëz në botë

Nga Andriy Zagorodnyuk “Atlantic Council

Gjatë 3 muajve të parë të Luftës Rusi-Ukrainë, aftësia e Ukrainës për ta mposhtur Rusinë në fushën e betejës e ka habitur botën, dhe ka çuar në shtimin e spekulimeve se pushtimi i Vladimir Putinit do të përfundojë me një disfatë të turpshme.

Por në të njëjtën kohë, situata në det mbetet dukshëm më e favorshme për Kremlinin, dhe kërkon një vëmendje ndërkombëtare urgjente. Bllokada ruse ndaj porteve ukrainase në Detin e Zi po e mbyt ekonominë e vendit, dhe po kërcënon të shkaktojë një krizë ushqimore globale, duke parandaluar qasjen e eksporteve bujqësore ukrainase në tregjet ndërkombëtare. Nëse kjo çështje nuk adresohet me shpejtësi, do të shkaktojë një uri masive në mbarë botën gjatë muajve të ardhshëm.

Për fat të keq, Ukraina e ka anashkaluar tradicionalisht çështjen e sigurisë detare. Pas fillimit të armiqësive me Rusinë në vitin 2014, shpenzimet ushtarake mbetën të fokusuara në masë të madhe në përmirësimin e forcave tokësore. Por, Deti i Zi ishte porta për eksportet e Ukrainës drejt botës.

Dhe që nga shkurti i këtij viti, kjo portë është mbyllur. Ndërsa Rusia gëzon një epërsi pothuajse të plotë detare në pjesën veriore të Detit të Zi, Ukraina ka qenë në gjendje të sigurojë disa fitore detare domethënëse gjatë 3 muajve të fundit.

Suksesi më i madh ishte fundosja e anijes ruse të Flotës së Detit të Zi, Moskva, e cila u godit nga raketat ukrainase “Neptun” të lëshuara nga një bateri bregdetare. Po ashtu ushtria ukrainase ka goditur vazhdimisht forcat ruse në Ishullin e Gjarpërinjve, dhe ka dëmtuar ose fundosur anijet ruse në ujërat përreth.

Beteja e gjatë për Ishullin e Gjarpërinjve, tregon rolin jetik që ka luajtur ajo pikë e vogël shkëmbore në betejën për të dominuar rajonin e Detit të Zi. Rusia e njeh shumë mirë rëndësinë e tij, ndaj u përpoq ta pushtonte që në ditën e parë të luftës, duke çuar në një përleshje legjendare midis një luftanijeje ruse dhe garnizonit të vogël ukrainas.

Në rast se Rusia do të jetë në gjendje të konsolidojë kontrollin e Ishullit të Gjarpërinjve, ky i fundit do shërbejë si një bazë për sistemet raketore, të cilat do ta lejojnë Kremlinin të kontrollojë pjesën më të madhe të Detit të Zi, së bashku me hapësirën ajrore në të gjithë Ukrainën Jugore.

Ndërsa bota demokratike është e angazhuar në sfidën e madhe të armatosjes së Ukrainës për t’i rezistuar agresionit rus në tokë, përfshirja ndërkombëtare në luftën detare ka qenë më e kufizuar. Kontributi më domethënës deri më tani, ka qenë vendimi i Turqisë në ditët e para të konfliktit për të zbatuar nenet e Konventës së Montrosë së vitit 1936, duke mbyllur Ngushticat e Bosforit dhe Dardaneleve për anijet luftarake ruse.

Përpara nisjes së luftës, SHBA i kishte dhënë Ukrainës disa anije luftarake. Kohët e fundit, Britania ka përfshirë sisteme raketore detare në paketat e saj të ndihmës ushtarake për Ukrainën. Por këto sisteme nuk kanë mbërritur ende në destinacion.

Ndërkohë, blerja e planifikuar e një korvete nga Turqia, nuk dha rezultate para fillimit të luftës. Pavarësisht sukseseve të moderuara të Ukrainës, dhe pengesave të lokalizuara për Rusinë, perspektiva e përgjithshme në det mbetet shumë e pafavorshme për Ukrainën. Bllokada ruse e Detit të Zi, po sjell një ndikim shkatërrues mbi sektorin e bujqësisë në Ukrainë, që është motori i ekonomisë së këtij vendi.

Me një kapacitet alternativ të kufizuar dhe vetëm me rrugët tokësore të disponueshme, fermerët ukrainas nuk janë në gjendje të transportojnë 90 për qind të eksporteve të grurit. Dhe kjo sjell pasoja serioze për furnizimet globale të ushqimit.

Ukraina është një nga eksportueset më të mëdha në botë të drithërave, dhe një superfuqi bujqësore në zhvillim, e cila ushqen qindra miliona njerëz. Nëse nuk i jepet shpejt fund bllokadës ruse të Detit të Zi, ekspertët po parashikojnë një krizë në rritje në muajt në vijim, me pasoja veçanërisht shkatërruese për vendet më të varfra.

“Miliona njerëz në mbarë botën do të vdesin, vetëm nga bllokimi i këtyre porteve”- paralajmëroi kreu i Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së, David Beasley në fillim të muajit maj. Është e qartë se liria e lundrimit në Detin e Zi dhe Detin Azov, është thelbësorë në çdo marrëveshje paqeje pas luftës.

Por është po aq e qartë, se bota nuk duhet të presë derisa të përfundojë kjo luftë, përpara se të merret me problemin e bllokimit të porteve ukrainase. Ukraina nuk mund t’i japë dot fund kësaj bllokade vetëm duke goditur anijet luftarake ruse aty pranë, dhe duke shpresuar për më shumë suksese të ngjashme me fundosjen e “Moskva”.

Edhe pa fuqinë e Flotës së Detit të Zi, Rusia mund të ndërmarrë një bllokadë të porteve jugore të Ukrainës, duke kërcënuar se do të godasë transportin tregtar me avionë bombardues dhe raketa. Pa një zgjidhje të qartë, asnjë kompani sigurimesh nuk do të pranojë të mbulojnë rrezikun e lundrimit drejt porteve të Ukrainës.

Në këto kushte, zgjidhja e vetme praktike është krijimi i një zone detare të mbrojtur, të garantuar nga komuniteti ndërkombëtar. Dhe ka një shumëllojshmëri mendimesh nga ana e ekspertëve se si mund të arrihet më së miri diçka e tillë, ku shumica mbështeten tek aftësitë ushtarake të NATO-s.

Një nga opsionet e përmendura më shpesh, përfshin krijimin e një korridori lundrimi humanitar, të patrulluar nga anijet dhe avionët e NATO-s, për të garantuar sigurinë e transportit tregtar. Nëse do të ishte shumë e vështirë arritja e një konsensus brenda NATO-s për një nismë të tillë, për këtë qëllim mund të krijohet një koalicion i vendeve pjesëmarrëse.

Në kushtet kur siguria globale e ushqimit është në rrezik, së bashku me qindra miliona jetë njerëzish, një veprim i tillë do të ishte teorikisht i mundur të justifikohej, duke shmangur akuzat për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në luftën Rusi-Ukrainë.

Sigurisht, pyetja e parë në lidhje me çdo zonë detare të mbrojtur, do të ishin rregullat e angazhimit si për anijet ashtu edhe për avionët. Nëse do të binin pre e një sulmi rus, a do të përfshiheshin ata në luftime të drejtpërdrejta? Kjo do të ishte në thelb një përsëritje e debatit të mëparshëm në lidhje me një “Zonë të Ndalim-Fluturimit” mbi Ukrainën, që u mbyll me refuzimin e idesë nga shumica e vendeve aleate.

Por shumë gjëra kanë ndryshuar që nga ajo kohë. Pas gati 3 muaj humbjesh të rënda dhe poshtërimesh ushtarake në Ukrainë, Kremlini ka aktualisht pak interes të provokojë një përplasje të drejtpërdrejtë me NATO-n. Reputacioni i Rusisë si një superfuqi ushtarake është dobësuar shumë, pikërisht nga ngjarjet në Ukrainë.

Ka ardhur koha që udhëheqësit e NATO-s të kuptojnë se Putin është një ballist që fiton falë kujdesit të tyre të tepruar. Në realitet, ai nuk ka këllqe për një konfrontim të drejtpërdrejtë me Perëndimin. Përveç pengesave politike, ekzistojnë edhe një sërë problemesh praktike, të cilat duhen kapërcyer përpara se të krijohet një zonë e mbrojtur detare.

Edhe në kohë paqeje, anijet detare të vendeve që nuk lagen nga Detit i Zi lejoheshin të hynin atje vetëm për periudha të kufizuara. Me Konventën e Montrosë tani në fuqi, luftanijet nuk mund të hyjnë fare në Detin e Zi. Pa një mundësi reale për të ri-negociuar kushtet e Konventës së Montrosë, zgjidhja më e thjeshtë do të ishte që Marina Turke të merrte drejtimin e këtij operacioni, duke e furnizuar me anijet e nevojshme për të garantuar një zonë detare të mbrojtur.

Në këtë mision mund të kontribuojnë gjithashtu edhe anëtaret e tjera të NATO-s, Bullgaria dhe Rumania, ndërsa anijet më të vogla nga vende të tjera pjesëmarrëse mund të hyjnë në Detin e Zi nëpërmjet lumit Danub. Ndërkohë, patrullimi i hapësirës ajrore mbi Detin e Zi mund të kryhet nga një koalicion vendesh që përdorin bazat ekzistuese të NATO-s në rajon.

Alternativa e vetme ndaj një korridori detar të imponuar ushtarakisht do të ishte një marrëveshje diplomatike me Kremlinin. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, po përpiqet të negociojë me Moskën për një lehtësim të pjesshëm të bllokadës, në mënyrë që të rifillojnë eksportet e grurit ukrainas.

Por çdo marrëveshje ka të ngjarë të nënkuptojë lehtësimin e sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës, të cilin shumë e shohin si një lëshim krejtësisht të papranueshëm dhe të rrezikshëm, që do të shërbente vetëm për të inkurajuar akte të mëtejshme të agresionit rus.

Nëse nuk merr fund bllokada e Putinit në Detin e Zi, ekonomia e Ukrainës do të pësojë dëme të mëdha, dhe vendet në mbarë botën së shpejti do të përballen me rrezikun e urisë masive. Ky është një argument i fortë në favor të një ndërhyrje të menjëhershme ndërkombëtare.

Pyetja e vetme është nëse ekziston vullneti politik për të rrezikuar një përplasje me Kremlinin. Aftësitë e kufizuara ushtarake të Rusisë janë ekspozuar qartazi në Ukrainë, E megjithatë shumë udhëheqës perëndimorë ngurrojnë ta sfidojnë Putinin kaq drejtpërdrejt në Detin e Zi. Ky kujdes i tepruar rrezikon të zgjasë kasaphanën në Ukrainë, dhe të shkaktojë një krizë ushqimore globale.  /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al/

Shënim: Andriy Zagorodnyuk, kryetar i Qendrës për Strategjitë e Mbrojtjes. Ish-ministër i Mbrojtjes i Ukrainës në vitet 2019-2020.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *