Bllokada anembanë Serbisë, protestat hyjnë në javën e dytë
Në ditën e tetë të protestave në Serbi, mëngjesin e 7 korrikut, mbi dhjetë rrugë kryesore në Beograd u bllokuan nga protestuesit.
Me kërkesë të studentëve, grupe joformale të qytetarëve bllokuan rrugët dhe kryqëzimet në disa lagje që nga ora 7:00. Midis tyre janë edhe rrugë kryesore në Beogradin e Ri.
Policia ndërhyri në disa raste, duke i penguar qytetarët t’i bllokonin rrugët kryesore në disa vende në Beograd. Raportohet për forca të shtuara policore në rrugët e qendrës së qytetit dhe në lagje të tjera.
Në disa nga vendet ku ka bllokada, raportohet se policia ka kërkuar dokumentet e identifikimit të qytetarëve. Bllokadat në qytete anembanë Serbisë filluan pasi studentët bënë thirrje për “mosbindje civile” nga 28 qershori.
Organizata akademike “Studentët në bllokadë” organizon protesta qysh në fund të vitit të kaluar, duke kërkuar përgjegjësi për incidentin në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.
Gjashtëmbëdhjetë persona humbën jetën nga shembja e një strehe betoni atje, më 1 nëntor.
Rruga Press

