Bota

Blinken: Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s, gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba, të enjten në Bruksel.

“Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s. Qëllimi ynë në samit është të ndihmojmë në ndërtimin e një ure drejt këtij anëtarësimi dhe të krijojmë një rrugë të qartë për Ukrainën që të ecë përpara. Ne kemi bërë shumë punë për këtë gjatë dy ditëve këtu në Bruksel. Shumë më tepër punë kemi për të bërë nga tani deri në samit. Por, mendoj se në samit, do të shohim një mbështetje shumë të fortë për Ukrainën që do të vazhdojë në marrëdhëniet e saj me NATO-n”, është shprehur Blinken.

Lexo më shumë  Ukraina: Rusia ka dërguar numër rekord dronësh për të na sulmuar gjatë natës

Ministrat e Jashtëm të NATO-s janë mbledhur në Bruksel për të shënuar 75-vjetorin e themelimit të aleancës, derisa lufta në Ukrainë dhe mbështetja ushtarake për të, ishte ndër temat kryesore që u diskutuan, raporton AP.

Blinkeni u ka thënë gazetarëve pas takimit me Kuleban se mbështetja për Ukrainën mbetet e qëndrueshme.

“Aleatët do të bëjnë gjithçka që munden për të siguruar se Ukrainë ka atë që i nevojitet për ta përballuar agresionin kundër saj, i cili po bëhet çdo ditë e më keq”, ka thënë Blinken.

Ai ripohoi gjithashtu deklaratat e mëparshme se “agresioni i kryer nga Rusia nuk është vetëm një agresion kundër Ukrainës dhe popullit të saj, është një agresion kundër vetë parimeve që qëndrojnë në zemër të sistemit ndërkombëtar”.

Lexo më shumë  Zyrtari i lartë i NATO-s u bën thirrje bizneseve të përgatiten për ‘skenarë lufte’

Ndërkaq ministri i Jashtëm ukrainas, Kuleba ishte po i drejtpërdrejtë në deklaratën e tij, duke u thënë gazetarëve se besojnë se Ukraina meriton të jetë anëtare e NATO-s dhe se kjo duhet të ndodhë më shpejt se sa më vonë.

“I takon vetë aleatëve të vendosin për formën dhe përmbajtjen e hapit të ardhshëm drejt anëtarësimit të Ukrainës në NATO. Unë e kuptoj që vendimi është marrë sot për të përcaktuar pjesën ushtarake të aleancës që do të projektojë se çfarë mund të jetë ai hap dhe ne do të presim me padurim rezultatin. Por sigurisht, ne besojmë se Ukraina meriton të jetë anëtare e NATO-s dhe se kjo duhet të ndodhë më shpejt se sa vonë”, ka deklaruar ai.

YouTube player