Bota

Blinken: Stërvitjet ushtarake të Kinës përshkallëzojnë situatën

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, iu bashkua ministrave të Jashtëm të Rusisë dhe Kinës në një takim të premten me diplomatë të lartë nga Azia Juglindore, në një kohë kur fuqitë globale janë të përçara nga tensionet.

Samiti i Azisë Lindore i takimeve të vazhdueshme të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore në kryeqytetin e Kamboxhias, është forumi ku për herë të parë marrin pjesë tre liderët.

Blinkeni tha në këtë samit se stërvitjet ushtarake të Kinës që synojnë Tajvanin, duke përfshirë raketat e lëshuara në zonën ekskluzive ekonomike të Japonisë, janë “përshkallëzim i dukshëm” i situatës.

Stërvitjet ushtarake të Kinës filluan pas vizitës në fillim të kësaj jave të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi në Tajvan, e cila zemëroi Pekinin.

Lexo më shumë  Le Monde: Franca dhe Britania nuk përjashtojnë drejtimin e një koalicioni në Ukrainë. Dërgimi i ushtarëve evropianë po diskutohet

“Kina ka zgjedhur të reagojë dhe të përdorë vizitën e Pelosit si një pretekst për të rritur aktivitetin provokues ushtarak në dhe rreth ngushticës së Tajvanit”, deklaroi Blinken në një konferencë për media në kryeqytetin kamboxhian.

Blinken tha gjithashtu se SHBA-ja qëndron në “solidaritet të fortë” me Japoninë pas “veprimeve të rrezikshme që ka ndërmarrë Kina”.

Shoqatën e Kombeve të Azisë Lindore e përbëjnë: Indonezia, Malajzia, Filipinet, Singapori, Tajlanda, Brunei, Birmania, Kamboxhia, Laosi dhe Vietnami.

Samiti i Azisë Lindore përfshin liderët e këtyre dhjetë vendeve, si dhe të Australisë, Indisë, Kinës, Zelandës së Re, Koresë së Jugut, Rusisë, Japonisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ky takim po zhvillohet vetëm një ditë pasi një gjykatë ruse dënoi me nëntë vjet burgim basketbollisten amerikane, Brittney Griner, nën akuzat për kontrabandë droge, në një çështje të ngarkuar politikisht mes antagonizmave mbi pushtimin rus të Ukrainës.

Lexo më shumë  Nuk munguan as goditjet – detaje dhe pamje rreth përplasjes fizike mes deputetëve në Parlamentin e Serbisë

Kina, ndërkohë, ka shfaqur zemërim për vizitën e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, këtë javë në Tajvan – një ishull vetëqeverisës që Pekini e pretendon si të tijin – dhe si kundërpërgjigje nisi stërvitjet ushtarake për demonstrimin e forcës.

Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, përshëndeti ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov në sallën e takimit.

Blinken, i cili hyri i fundit në takim, nuk u përshëndet me Lavrovin, teksa zuri vend disa karrige më larg tij. Blinken nuk u përshëndet as me Wangun, i cili ishte ulur edhe më larg, në të njëjtën tavolinë me Lavrovin.

Departamenti i Shtetit i SHBA-së tha se Blinken nuk kishte në plan të takohej kokë më kokë me asnjërin prej tyre gjatë rrjedhës së takimeve./ REL

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *