Blegtoria në krizë/Shqipëria ‘mbytet’ në vaj palme dhe qumësht pluhur
2024 e gjeti blegtorinë zyrtarisht në krizë. Ata pak blegtorë që i kanë mbetur Shqipërisë u detyruan të lënë bagëtitë e të protestojnë rrugëve. Ulja me 30% e çmimit të qumështit të bagëtive të imta ishte thelbi i protestave, por shqetësimet e sektorit shkonin përtej. Dekadën e fundit blegtoria është tkurrur ndjeshëm, ndërkohë që tregun po e ‘mbyt’ importi për shkak të kostos së lirë. Vjet Shqipëria bleu 31 mijë ton bulmet nga jashtë. Po ashtu, në tregun vendas kanë hyrë tonelata me vaj palme dhe qumësht pluhur.
Nga Esmeralda Topi
Besart Kaba është një nga dhjetra blegtorët e jugut që protestuan pak ditë më parë rrugëve të Shqipërisë. Këtë fillim viti, baxhot dhe fabrikat e përpunimit vendosën ta ulnin me 30% çmimin e qumështit të bagëtive të imta.
“Me këto çmime qesharake që ka në Shqipëri i bie të punojmë ne për delet dhe jo delet per ne”, thotë Besarti.
Si rrallë herë, protestat e blegtorëve prodhuan rezultat. Nga 120 lekë për litër, baxhot dhe fabrikat tashmë po e marrin qumështin e bagëtive të imta me 160 lekë për litër.
“Nuk kemi dalë më të bëjmë protesta sepse të gjitha baxhot e vendosën çmimin e qumështit 160 lekë. Nuk jemi të bashkuar ne si fermerët e Europës, e prenë baxhot çmimin dhe u tërhoqën të gjithë.”, sqaron me keqardhje blegtori nga Lazarati i Gjirokastrës.
Besarti ka rreth 400 krerë me bagëti të imta. Blegtorinë e ka trashëguar nga i ati, por edhe pse ka vite në sektor, të ardhmen e sheh me dyshim.
“Nuk ka ditë që të mos e mendoj shitjen e bagëtive. Nëse çmimi për qumështin nuk shkon në 200 lekë për litër, kostot janë shumë të mëdha për blegtorët. Jam i lëkundur gjatë gjithë kohës sepse është e kot të merresh me këto çmime qesharake. Duhet t’i shesësh edhe të ikësh”, përfundon ai.
Blegtoria në krizë
Statistikisht blegtoria shqiptare po përjeton krizë, pasi numri i krerëve është pakësuar ndjeshëm dekadën e fundit. Sipas të dhënave nga INSTAT, në 2013 në vend numëroheshin 356 mijë lopë. Në fund të 2022 numri i tyre është pakësuar me 95 mijë.
Tkurrje të fortë ka pasur edhe tek krerët e bagëtive të imta. Nga 2,7 milionë krerë me dele/dhi në fund të vitit 2013, një dekadë më pas rezultojnë 700 mijë krerë më pak.
Për shkak të pakësimit të bagëtive edhe prodhimi i qumështit ka rënë. Nga 2013 deri në fund të 2022, prodhimi i qumështit në Shqipëri është reduktuar me 161 mijë tonë.
Ciklin rënës të blegtorisë, ekspertët e shohin si pasojë të mungesës së mbështetjes dhe politikave të gabuara fiskale ndaj sektorit.
“Blegtoria është në vështirësi serioze. Shkaku kryesor i rënies së numrit të krerëve janë politikat e gabuara fiskale. Një tjetër arsye janë dhe subvencionet, pasi skemat janë diskriminuese. Rënia e blegtorisë nisi në 2018 dhe këtë e tregojnë dhe shifrat e INSTAT-it. Goditjen përfundimtare ia dha trefishimi i inputeve bujqësore dhe rritja e çmimeve të produkteve ushqimore.”- Eduard Sharka, Kryetar i Shoqatës së Fermerëve.
Në vitin 2019, qeveria shqiptare vendosi të ulë rimbursimin e tatimit mbi vlerën e shtuar për qumështin e prodhuar nga fermerët vendas nga 20 për qind në 6 për qind.
Kjo lëvizje sipas gazetarit të ekonomisë Klodian Tomorri, ishte goditja e parë ndaj prodhimit vendas të qumështit. Goditja e dytë shton ai, erdhi tre vjet më vonë, kur qeveria vendosi që ta heqë fare rimbursimin e tvsh-së për qumështin vendas, duke e ulur nga 6 për qind në zero.
“Nëse një fabrikë përpunimi ble qumësht nga fermeri vendas me 100 lekë për litër, kostoja reale i shkon 120 lekë për shkak se duhet të paguajë dhe tvsh-në në shtet 20 lekë. Por kur qumështin e ble nga importi me 100 lekë, atëherë kostoja reale i mbetet sërish rreth 100 lekë sepse i kreditohet tvsh që paguan në doganë. Rezultati? Fabrikave të përpunimit të qumështit u leverdis më shumë të importojnë qumësht nga importi se sa ta blejnë atë nga fermerët vendas.”– Klodian Tomorri, gazetar ekonomie.
Në këto kushte, Shoqata e Përpunuesve të Qumështit në Shqipëri parashikon një vit të vështirë për blegtorinë.
“Nëse blegtoria nuk do të marrë buxhetin e duhur si në rajon dhe skemat e subvencionimit të jenë të orientuara drejt prodhimit, atëherë edhe në vitin 2024, numri i krerëve do të ulet, duke sjellë për pasojë edhe rënie të sasisë së prodhuar të qumështit.” – Shoqata e Përpunuesve të Qumështit.
Përpunuesit shohin zgjidhje tek ndryshimet e poltikave fiskale, pasi siç pohojnë ata, po rritet presioni nga importi në dëm të prodhimit vendas.
Tregun e mbyt importi
Teksa blegtoria prej vitesh ka marrë tatëpjetën, tregun vendas po e ‘mbyt’ importi. Vitin e kaluar Shqipëria bleu 31 mijë ton bulmet nga jashtë. Vit pas viti, prodhimi vendas po zëvendësohet nga ai i huaj.
Ky tregues, sipas profesor Ndoc Fasllisë, duhet të jetë këmbanë alarmi për çdo qeveri.
“Në një vend si Shqipëria, ku popullsia rezidente është pakësuar, pra numri i konsumatorve është ulur, importet e ushqimeve vazhdojnë të rriten….!!! Pse ndodh kjo? Sepse është pakësuar prodhimi vendas, si rezultat i uljes së numrit të krerëve, por edhe si rezultat i braktisjes së fshatrave” – Ndoc Fasllia, Profesor në Univeristetin Bujqësor.
Një tjetër tregues shqetësues tek importet sipas ekspertëve është dhe rritja e importit të qumështit pluhur.
Vitin e kaluar Shqipëria importoi 1 tonë me qumësht pluhur nga jashtë. Tre vendet kryesore të origjinës janë Ukraina, Greqia dhe Çekia.
“Shqetësuese është sepse kemi arritur në pikën që qumështi pluhur po na zëvendëson qumështin. Dhe ndaj u ngritën në protesta blegtorët, sepse qumështi pluhur dhe ai i importit po mbyt prodhimin vendas për shkak të kostos më të lirë”, argumenton Profesor Abdyl Sinani.
Të dhënat zyrtare tregojnë gjithashtu se vitin e kaluar në Shqipëri kanë hyrë edhe tonelata me vaj palme.
Në fund të 2023 Shqipëria ka importuar 3100 tonë vaj palme. Referuar të dhënave, 54% e këtij produkti importohet nga Indonezia. Vendin e dytë e zënë importet nga Malajzia dhe më pas Greqia.
Eskpertë të sigurisë ushqimore thonë se rritja e importeve të vajit të palmës vit pas viti dikton nevojën e kontrolleve të rrepta mbi parametrat e tij, duke qënë se përdorimi pa kriter i këtij vaji përbën rrezik për shëndetin e konsumatorit.
“Hapi i parë është kontrolli i cilësisë për vajin e palmës. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit duhet të kontrollojë cilësinë e këtij produkti pa u futur në treg nëse është brenda parametrave të lejuar. Sepse nëse nuk përmbush parametrat kthehet në rrezik serioz për shëndetin e konsumatorit. Nga ana tjetër, bizneset që përdorin vaj palme e kanë për detyrë të shkruajnë në etiketë se sa është % vaj palme kanë përdorur, si në ëmbëlsira apo edhe në produkte bulmeti. Të gjitha produktet që kanë vaj palme”– Abdyl Sinani, profesor në Fakultetin e Bioteknologjisë Ushqimore.
Në 2017, në Shqipëri u hap një debat i gjerë për përdorimin e vajit të palmës në produktet të bulmetit të prodhuara. Denoncimet e një emisioni investigativ për përdorimin e vajit të palmës pa kriter në produkte bulmeti vuri në lëvizje institucionet në vend. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, asokohe paralajmëroi marrjen e masave ndaj bizneseve që rezultonin me shkelje.
Por fakt është se që nga koha e kësaj fushate e deri më sot nuk ka ndonjë rezultat konkret në këtë drejtim.
Rruga Press