Bislimi: Një pjesë bukur të madhe të fajit për moszbatimin e marrëveshjes për energjinë, deri tani e ka vetë Brukseli
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka fajësuar kompaninë “Elektrosever” dhe Bashkimin Evropian për moszbatim të marrëveshjes për energjinë, të arritur në qershor të vitit të shkuar mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e faturimit të rrymës në komunat veriore të Kosovës.
Në një konferencë për media të mërkurën, Bislimi ka thënë se e vetmja nga pjesëmarrësit në marrëveshje, “që i ka përmbushur në plotësi obligimet e saj, sipas udhërrëfyesit, ka qenë Qeveria e Kosovës”.
“E ka licencuar ‘Elektroseverin’ dhe e ka pajisur me kodin e identifikimit për energji. Janë nënshkruar marrëveshjet mes KOST-it dhe ‘Elektroseverit’. Pikat e papërmbushura janë dërgimi i të dhënave të konsumatorëve, që është dashur të kryhet për 7 ditë nga ‘Elektroseveri’, që nuk ka ndodhur ende, pos disa të dhënave të falsifikuara të dërguara pas 100 ditësh. Nuk është përmbushur as pika e nënshkrimit të marrëveshjes apo kontratës kornizë mes KEDS-it dhe ‘Elektroseverit’ e nuk është përmbushur as pika e pestë e marrëveshjes, që KEDS-i dhe KOST-i të kenë qasje të përhershme në nënstacionin në Valaq”, ka thënë Bislimi.
Sipas tij, arsyeja pse s’është finalizuar udhërrëfyesi, që ka paraparë që gjendja të normalizohet deri në tetor, “është në rezistencën e ‘Elektroseverit’ që të nënshkruajë marrëveshje sipas udhërrëfyesit”.
“Ata insistojnë në respektimin e një marrëveshjeje tjetër që ata gjoja e kanë arritur me KEDS-in në Stamboll, e cila s’ka të bëjë asgjë me marrëveshjet e Brukselit”, ka thënë Bislimi.
Sipas tij, nuk janë përmbushur as obligimet e Bashkimit Evropian.
“Një pjesë bukur të madhe të fajit për moszbatimin e marrëveshjes deri tani e ka vetë Brukseli apo ndërmjetësit në Bruksel, të cilët jo vetëm e kanë toleruar takimin në Stamboll, por edhe kanë dërguar sinjale të gabueshme tek ‘Elektroseveri’ përmes interpretimeve të neneve të gabueshme të marrëveshjeve që s’kanë të bëjnë asgjë me udhërrëfyesin”, ka deklaruar ai.
Kosova dhe Serbia kanë miratuar udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë elektrike në veri, ka bërë të ditur përmes një postimi në Twitter, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Më 21 qershor të vitit të shkuar, Kosova dhe Serbia patën miratuar udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë elektrike në veri. Marrëveshja për energjinë ishte arritur qysh më 2013, por nuk ishte zbatuar deri më tash. Bëhet fjalë për energjinë që shpenzojnë serbët në veri e nuk e paguajnë.
Rruga Press