Bislimit nuk i lejohet hyrja në Beograd
Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, i është pamundësuar vizita në Beograd për një Forum dhe konferencë për tema që kanë të bëjnë me të dyja shtetet. Rreth 100 kilometra para mbërritjes në Beograd, Bislimi është detyruar të kthehet për në Kosovë. Është kthyer prapa “për shkaqe sigurie”.
Zëvendëskryeministri Bislimi ka konfirmuar lajmin për mediat në Kosovë dhe e ka quajtur manipulim të Serbisë situatën e krijuar.
“Ne kemi bërë kërkesën për vizitë para një jave. Vizita është aprovuar. Kemi kaluar kufirin. Jemi afruar deri te Beogradi. Tek aty na ka dalë një veturë tjetër e policisë që na ka ndalë e ka thënë se për arsye të sigurisë s’mund të bëhet. Po del se është krejt manipulim… Doli një veturë shtesë, ka dalë konvoji dhe ka kërkuar të kthehemi se gjoja ka probleme për siguri. Ka thënë se po kërcënohet siguria”, ka thënë Bislimi nëpërmjet telefonit për mediat.
Sipas njoftimit të Qeverisë të mërkurën, Bislimi ishte paraparë të merrte pjesë në Konferencën e Forumit për Marrëdhënie Etnike, në tryezën e diskutimit “Dialogu Diplomatik”, me temë “Kosova dhe Perspektiva Evropiane e Rajonit”. Diskutimi ishte paraparë të niste në orën 17:00.
Bislimi ishte paraparë të mbante ligjëratë sonte, ndërsa ishin paraqitur shumë ambasadorë për të dëgjuar ligjëratën e tij.
Konferenca për Siguri në Beograd është hapur të enjten.
Rruga Press