Bislimi thirrje shqiptarëve në Luginë: Vota e 17 dhjetorit, votë për rezistencë. Votoni Shaip Kamberin, numër 13!
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të marrin pjesë në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi, duke e cilësuar votën në këto zgjedhje si “votë për rezistencë kundër autoritarizmit dhe shtypjes”.
“Të dielën e 17 dhjetorit, bashkatdhetarët tanë në Luginën e Preshevës, kanë nevojë për mbështetjen e të gjithë neve. Projekti serb për heshtjen e zërit shqip, duhet të përballet me rezistencë e mosnënshtrim. Institucionet qendrore e lokale serbe, i kanë targetuar për diskriminim e shtypje shqiptarët në drejtësi e gjyqësor, arsim, shëndetësi e kulturë, qasje në punësim e ndërmarrje publike. Edhe pasivizimi i adresave është përpjekje e mëtejshme e vazhdueshme për spastrim etnik administrativ e institucional”, ka shkruar Bislimi në Facebook të premten.
Ai dhe Qeveria e Kosovës tashmë kanë dalë publikisht në mbështetje të Shaip Kamberit.
“Zërat e fuqishëm duhet t’i dalin ballë Luginës. Zëri i fuqishëm në parlament, ai i Shaip Kamberit me numër 13, por sidomos dhe ai në nivel lokal, veçanërisht në Medvegjë me numër 2”, ka shtuar Bislimi.
Zëvendëskryeministri ka thënë se votuesit shqiptarë po përballen me shumë telashe në zgjedhjet në Serbi. Ka shtuar se për këtë e ka lajmëruar edhe ndërmjetësin në dialog.
“Zgjedhjet lokale atje, po përballen me shumë shkelje. Si pasojë e pasivizimit, shumë votues shqiptarë nuk gjenden në regjistrat e votuesve duke ia mohuar të drejtën e votës. Gjithashtu është shqetësuese që për zgjedhjet lokale në Medvegjë, votuesit nga Kosova që duan të shprehin vullnetin e tyre të lirë, mund të përballen me rrezikun potencial të pengesave administrative në kufi. Kam njoftuar në lidhje me këtë situatë dhe emisarin Lajçak, ku kërkova gatishmërinë e BE-së që të ndërhyjë në pikën kufitare në Mutivodë në rast të paraqitjes së shkeljeve të tilla. Shqiptarët duhet të mbrojnë dhe avancojnë të drejtat dhe liritë për komunitetin tonë që jeton në atje. Vota e 17 dhjetorit, është votë për rezistencë. Për rezistencë kundër autoritarizmit dhe shtypjes. Në këtë betejë politike, secila votë është e vlefshme. Ajo duhet të dëshmohet të dielën e 17 dhjetorit, me vendosmëri e guxim”, ka përfunduar ai.
Rruga Press