KryesoreLajme

Bislimi: Synojmë ndërtimin e një administrate transparente

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka prezantuar sot Programin për Parandalimin dhe Zvogëlimin e Barrës Administrative 2025-2028.

Ai ka paralajmëruar digjitalizimin e 100 shërbimeve të reja gjatë vitit 2025.

Bislimi ka thënë se reforma e administratës publike përbën hap thelbësor në modernizimin e qëndrueshëm ekonomik.

“Ajo që ne synojmë është ndërtimi i një administrate të përgjegjshme dhe transparente që ka aftësinë të krijojë mjedis të favorshëm si për qytetarët ashtu edhe për bizneset”, tha ai.

Duke folur për arritjet në këtë proces, ai tha se janë thjeshtuar 80-të shërbime në ministri të ndryshme dhe 300 shërbime në nivelin lokal në 15 komuna.

“Me këtë lehtësohet jo vetëm puna e qytetarëve dhe bizneseve, por njëkohësisht edhe puna e institucioneve”, tha Bislimi.

Lexo më shumë  Kurti: Ne besojmë që Shqipërinë e kemi në krahë, për të kaluar pengesat për anëtarësim në NATO

Ai ka thënë se është finalizuar digjitalizimi i 12 shërbimeve të profesioneve të lira dhe gashtë shërbimeve gjeodezike që janë ekspozuar në platformën e-Kosova.

“Janë dërguar për ekspozim edhe 27 shërbime të Agjencionit për Ushqim dhe Veterinë, 20 shërbime doganore. Është në finalizim edhe digjitalizimi i shërbimeve të auto-shkollave, noterëve, inxhiniereve, odave të shëndetësisë”.

Sipas tij, kalkulimet vjetore po tregojnë se brenda një viti qytetarëve dhe bizneseve u kursehen deri në 3.5 milionë euro.

”Kalkulimet vjetore po na tregojnë se brenda një viti do t’u kursejmë qytetarëve dhe bizneseve deri në 3.5 milionë euro. Kjo tregon se sa i rëndësishëm është ky proces.

Ndërsa, udhëheqësi i Seksionit të Bashkëpunimit nga Zyra e BE-së, Johannes Madsen tha se ka premtuar përkrahje në vijim për digjitalizimin e shërbimeve.

Lexo më shumë  Ish-emisari i ShBA-së: Serbia, sot e kësaj dite, nuk është e gatshme ta pranojë realitetin e një Kosove të pavarur

“Ka disa reforma që duhet të ndërmarrën dhe zyra ime do të përqendrohet në vitet në vijim”, ka thënë Madsen.

Kurse ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se një pjesë e rëndësishme e programit është ulja e barrës administrative nëpër komuna, sipas tij, pjesë e grantit të performancave.

Ndërsa, ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jurg Sprecher, tha se bashkëpunimi ndër vite me qeverinë e Kosovës ka sjell rezultate në uljen e barrës administrative në vend.

“Bashkë kemi punuar tash e tetë vjet për të reduktuar barrën administrative dhe reformuar inspektimet e bizneset. Kjo ndikohet drejtpërdrejtë në uljen e barrës administrative dhe procedurat administrative të lehtësuara”, deklaroi ambasadori zviceran.

YouTube player