Bislimi: Sqarim dhe ekspozim i hipokrizisë dhe injorancës së manifestuar në reagimin e LDK ndaj takimit trilateral në Bruksel të datës 10 qershor
Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka reaguar ndaj deklaratës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila më 10 qershor e vuri në pikëpyetje legjitimitetin e tij për të përfaqësuar Kosovën në takimet e dialogut me Serbinë në Bruksel.
Sqarim dhe ekspozim i hipokrizisë dhe injorancës së manifestuar në reagimin e LDK ndaj takimit trilateral në Bruksel të datës 10 qershor.
https://www.facebook.com/photo.php?fbid=1242034467291970&set=a.462778705217554&type=3&ref=embed_post
Republika e Kosovës ka qeveri. Ajo nuk është “ish-qeveri”. Për institucionalistat e LDK-së, është e çuditshme se si ata duan që shteti të jetë pa institucione, se si shteti të mund të funksionojë pa qeveri.
Unë nuk kam qenë dhe as nuk jam i emëruar nga kryeministri Kurti si “kryenegociator”. Përgjegjësia dhe titulli brenda qeverisë Kurti, është ai i zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog. Për sa kohë qeveria është në detyrë, si zëvendëskryeministër kam detyrimet e paracaktuara dhe përgjegjësinë e këtij roli, dhe i shërbej vendit pikërisht sipas mandatit dhe obligimeve që i detyrohem shtetit, qytetarëve dhe qeverisë, njëjtë si për integrim evropian, zhvillim ashtu edhe për dialog.
Nuk ka marrëveshje apo obligime të reja që rrjedhin nga Brukseli. Ato veçse janë ekzistuese dhe duhet të zbatohen. Në këtë fazë nuk po negociohet në Bruksel një marrëveshje e re. E kemi Marrëveshjen Bazike që më shumë se dy vite, por ajo duhet zbatuar.
Mandati si zëvendëskryeministër në detyrë është mandat legjitim, demokratik, kushtetues dhe ligjor, për të udhëhequr sipas kompetencave shtyllat e integrimit evropian, zhvillimit dhe dialogut. Në çfarë dispozitash ligjore dhe fakte mbështetet kjo parti kur thotë se përgjegjësitë e zëvendëskryeministrit në detyrë na qenkan jolegjitime e jodemokratike, antikushtetuese dhe joligjore? Kjo është më shumë sesa padije e analfabetëve akademikë të LDK-së, është tentativë e qëllimshme për manipulim të opinionit publik dhe keqinformim të qytetarëve.
Në fund të komunikatës së saj, LDK shkruan se duhet të respektohet vullneti i qytetarëve të shprehur në zgjedhje dhe të formohen institucionet e reja. Për të parën, vullnetin e qytetarëve e kanë të qartë të gjithë ku Lëvizja VETËVENDOSJE! doli fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit. Për të dytën, LDK as që po merr pjesë në votimin për krijimin e institucioneve të reja.
LDK-ja është mirë që kur flitet për kompetenca, legjitimitet e zgjedhje të qeverive të shqyrtojë historinë e saj jo aq të largët (qeveri të shpallur anti-kushtetuese në vitin 2021), e ndërsa kur flasin për proces të dialogut të kuptojnë se në Bruksel është e vërtetë që negociatat janë serioze e të interesit të lartë shtetëror, e jo të tilla që të humbasin dokumentet nëpër qytet.
Rruga Press

