Bislimi: S’ka rezultate në ecjen përpara në normalizim të raporteve me Serbinë
Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryenegociatori Besnik Bislimi, ka thënë se në takimin trepalësh të mbajtur të enjten në Bruksel nuk ka rezultate në pikën rreth ecjes përpara në normalizim të raporteve me Serbinë. Ai e ka quajtur rund të dështuar takimin me Petar Petkoviqin e Serbisë, nën ndërmjetësimin e emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Bislimi ka akuzuar Serbinë se po insiston në implementim të pjesshëm të marrëveshjeve. E ka cilësuar këtë qëndrim si joserioz.
“S’ka rezultate në pikën rreth ecjes përpara në normalizim të raporteve. Serbia po insiston edhe më tutje në implementim të pjesshëm, sipas idesë ‘ne bëjmë diçka ju bëni diçka’”, ka thënë ai pas takimit.
Megjithatë sipas tij ka pasur lëvizje pozitive në temat tjera.
“Jemi dakorduar që të themelojmë një grup punues, t’i harmonizojë 20 veterinarë, që përdoren në kalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Të kërkohet që inspektorët sanitarë të vendosen në mënyrë të përhershme te Dheu i Bardhë. U njoftuam nga zoti Lajçak që ka premtime të mëdha në Beograd që deri në fund të muajit të ardhshëm të lëshohen linjat e interkonjeksionit, që ka qenë pjesë e marrëveshjes së energjisë”, ka thënë tutje ai.
Bislimi ka thënë se është diskutuar edhe për lirinë e lëvizjes. Sipas tij, Lajçaku e ka nënvizuar rëndësinë e një qendre për inspektim teknik që ka bërë Qeveria e Kosovës në veri dhe njohjen e hapave të tjerë që janë bërë në veri.
“Kishte kërkesa të arrihej marrëveshja për lejimin e vizitave së kryenegociatorëve por mendojmë se duhet të respektohet marrëveshja si është nënshkruar më herët. Prekëm tema të ndryshme, por fatkeqësisht te tema kryesore që është e rëndësishme, ecja përpara drejt normalizimit nuk ka lëvizje”, ka përsëritur ai.
Zëvendëskryeministri Bislimi ka thënë po ashtu se Serbia nuk ka hyrë fare në diskutimin për planin e sekuencimit të marrëveshjeve bazë. Ai e ka quajtur dështim të madh rundin e sotëm të negociatave.
“Ne kemi pasur komentet tona në planin e sekuencimit, ku kemi treguar se me çfarë përmirësimesh ai plan do të jetë i pranueshëm për palën kosovare. Ndërsa Serbia nuk ka hyrë fare në diskutim. Serbia vetëm se kishte preferuar ecjen përpara në mënyrë parciale, ku palët zotohen vetëm për një element të marrëveshjes për ta zbatuar. Mendoj se është dështim bukur i madh i këtij raundi, pasi ishte tema kryesore e bisedimeve sot”, ka thënë Bislimi.
Sipas tij, pala serbe ka thënë se kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq i ka dërguar letër Komisionit Evropian duke thënë se shteti i tij është i përkushtuar t’i zbatojë obligimet që dalin nga Marrëveshja Bazë.
Bislimi ka thënë se për të qenë kjo e sinqertë, Serbia duhet të tërheqë letrën e ish-kryeministres Ana Bërnabiq, me të cilën kishte dalë kundër marrëveshjes.
“Nga Serbia dëgjuam se kryeministri Millosh Vuçeviq në një letër dërguar Komisionit sipas tij, është përkushtuar se do të zbatojë obligimet të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshja Bazë. Për të qenë e sinqertë kjo, duhet të shoqërohet me tërheqjen e letrës së Bërnabiqit që është veprim më i lehtë për palën serbe. Nëse Serbia zotohet t’i zbatojë pikat e marrëveshjes, formalizimi është i thjeshtë. Këtë e konfirmoi edhe pala serbe që tha se e vetmja marrëveshje obligative për zbatim është e 2013-s pasi ka nënshkrim dhe është ratifikuar në Kuvend”, ka thënë ai.
Sipas Bislimit, letra ka qenë vetëm që Serbia të marrë fonde nga Plani i Rritjes.
“Kjo e bën edhe më problematike kredibilitetin e Serbisë e cila në një anë thotë se kur duhet të marrë para nga Bashkimi Evropian atëherë do t’i zbatojë e aty ku duhet bërë zotimet për t’i zbatuar thotë jo se unë kam vija të kuqe”, ka thënë Bislimi.
E sa i përket fillimit të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Bislimi ka thënë se Kosova insiston në zbatimin e plotë të marrëveshjes dhe se nuk i ik obligimeve.
“Nuk mund të insistohet kur për këtë punë së pari duhet të zgjidhet udhëheqja e re e komunave e mendoj se duhet të plotësohen disa kushte tjera. Por, e kemi bërë të qartë se në atë moment kur ka dakordim për zbatimin e plotë të Marrëveshjes bazë, Kosova nuk i ik asnjë prej obligimeve të saja. Kosova zotohet se e zbaton marrëveshjen në tërësi, siç e ka treguar gatishmërinë ta nënshkruajë në Ohër”, ka deklaruar Bislimi.
Në fund, Bislimi ka thënë se ka kërkuar nga Serbia që ta dorëzojë Milan Radoiçiqin që ka marrë përgjegjësi për sulmin terrorist në Banjskë.
Rruga Press