Uncategorized

Bislimi: Serbia s’ka pasur kurrë propozime, vendet anëtare të BE-së janë manipuluar për këtë

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryenegociatori Besnik Bislimi ka thënë se vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë manipuluar me qëndrimin se Serbia ka ofruar propozime për planin e sekuencimit të Marrëveshjeve Bazë dhe të Ohrit.

Në një intervistë për emisionin “60 Minuta” në KTV, Bislimi ka thënë se Serbia nuk ka dorëzuar asnjëherë propozime.

Sipas tij, në takimin e fundit që ka pasur me Petar Petkoviqin në Bruksel, Kosova ka kërkuar nga ndërmjetësi, emisari Miroslav Lajçak, që me palët t’i ndajë propozimet e palës tjetër.

“Të na tregojë neve se cilat kanë qenë propozimet e deritashme të Serbisë dhe e kemi lejen tonë që propozimet tona t’i ndajë me Serbinë, me idenë që të shohim se a ka pas propozime nga Serbia sepse edhe vendet anëtare janë manipuluar duke thënë se ka pasur propozime nga Serbia dhe e dyta të shohim se sa janë larg qëndrimet tona. Vetëm atëherë kur i kemi  ne propozimet e Serbisë dhe Serbia propozimet tona do të mund ta dimë se a është versioni i 10-të versioni i fundit apo do të kemi edhe versionin e 27-të. Duhet të dimë se ku qëndrojmë për me ditë pak a shumë se çka na pret në takimin e radhës në Bruksel por kjo nuk është mbështetur e unë e ka pak a shumë se pse nuk është mbështetur. Ideja është që të mbulohet fakti që Serbia asnjëherë nuk ka dërgu propozime”, ka thënë ai.

Bislimi ka thënë se pa u ditur propozimet e Serbisë mund të ketë edhe takime të tjera e propozime të reja. Ai ka thënë se qëndrimi i Serbisë lidhet vetëm me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

YouTube player