Bislimi: Po rrezikohet përfaqësimi demokratik i shqiptarëve në Luginë
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi u takua të hënën me kryetarin e ri të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, me të cilin tha se biseduan mbi sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginë të Preshevë. Bislimi ka shkruar në Facebook se Rexhepi ndonëse është zgjedhur në mënyrë të rregullt si përfaqësues politik i shqiptarëve në Serbi, ai s’po zyrtarizohet nga Ministria për të Drejtat e Njeriut.
Sipas tij, kjo përbën pengesë institucionale dhe precedent të rrezikshëm për përfaqësimin demokratik të shqiptarëve.
Zëvendëskryeministri ka shkruar se angazhimi është i pakusht dhe i vazhdueshëm në përmirësimin e jetës së shqiptarëve në Luginë, “aty ku edhe më së shumti po shtypen të drejtat e tyre si në Luginë e Preshevës e në Sanxhak”.
“Angazhimi ynë është i pakusht dhe i vazhdueshëm për përmirësimin e jetës së shqiptarëve aty ku edhe më së shumti po shtypen të drejtat e tyre si në Luginën e Preshevës e në Sanxhak. E palëkundur është mbështetja për mbrojtjen e identitetit kombëtar, zhvillimin e arsimit në gjuhën amtare, ruajtjen e kulturës dhe trashëgimisë sonë historike, dhe për sigurimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë”, thuhet në njoftimin e Bislimit.
Rruga Press