KryesoreLajme

Bislimi për takimin në Bruksel: Nuk ka pasur kërkesë nga BE-ja për Asociacionin

Zëvendëskryeministri i Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka thënë se në takimin e javës së kaluar në Bruksel në kuadër të dialogut, nuk ka pasur kërkesë nga Bashkimi Evropian në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Këtë deklaratë ai e ka dhënë derisa i është përgjigjur pyetjeve të kallxo.com, të hënën në një konferencë për media në Qeveri.

“Nuk ka pasur kurrfarë kërkese nga Bashkimi Evropian, as tani as në të kaluarën për Asociacionin”, tha ai kur u pyet nëse në takimin e fundit nga BE-ja ka pasur kërkesë specifike ndaj Kosovës për Asociacionin.

Ai ka dhënë arsyen edhe se pse nuk ka pasur takim trepalësh në Bruksel mes Kosovë dhe Serbisë, me ndërmjetësim të BE-së.

“Nuk ka pasur takim trepalësh për arsye se tema që e kemi diskutuar ka të bëjë me energjinë dhe tek energjia kemi fol për implementimin e një marrëveshje të kaluar, tek implementimi i marrëveshjeve të kaluara partner monitorues dhe asistues e kemi BE-në, andaj nuk ka nevojë për takime trelaterale”, ka thënë ai.

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Javën e kaluar, Bislimi zhvilloi takime dypalëshe me Përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Qeveria e Kosovës njoftoi, se në këto takime u diskutua për çështjen e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë, për ndjeshmërinë dhe urgjencën e një zgjidhjeje sa më të shpejtë.

“U fol për energjinë në kuadër të marrëveshjes ekzistuese. Diskutimet me Bashkimin Evropian në këtë fushë kanë shënuar progres, megjithatë mbeten ende detaje për t’u trajtuar”, thuhet tutje në komunikatën e Qeverisë.

Çështje tjetër e diskutimit thuhet se ishte edhe ajo e targave të veturave.“Grupet teknike kanë filluar të finalizojnë propozimet e tyre përfundimtare. Takimet e grupeve teknike do të vazhdojnë deri në përzgjedhjen përfundimtare të opsioneve sipas standardeve dhe praktikave të Bashkimit Evropian”, theksohet në njoftim.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Takimet e së martës në Bruksel përfunduan pa takim trepalësh mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të BE-së.

Kurse, emisari i BE për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, kishte deklaruar se pas diskutimeve në Bruksel me përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë, është afër arritja e një marrëveshje “për disa dokumente”, pa specifikuar se për çfarë bëhet fjalë.

Lajçak ka thënë se hapi i fundit “është më i vështiri”.

“Pas 11 orësh negociata intensive dje, jemi afër arritjes së një marrëveshjeje për disa dokumente. Por si shpesh, hapi i fundit është më i vështiri. Puna vazhdon”, ka shkruar zyrtari evropian në Twitter.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është njëra prej marrëveshjeve më të diskutueshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, për të cilën ishin pajtuar palët në kuadër të procesit, por që nuk është zbatuar, pasi u vlerësua se disa pika të saj janë në kundërshtim me Kushtetutën e Repubikës së Kosovës.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *