KryesoreLajme

Bislimi për Planin e Rritjes së BE: Kosova mund të përfitojë deri në 945 milionë euro

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se Kosova mund të përfitojë deri në 945 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së.

Bislimi ka njoftuar se për mundësitë dhe përfitimet që i ofron ky plan, sot është diskutuar me akterë ekonomikë dhe biznesorë në Këshillin Kombëtar për Ekonomi dhe Investime.

“Përmes kësaj iniciative, planifikohet që 6 miliardë euro të ndahen nga BE-ja për ekonomitë e shteteve të Ballkanit Perëndimor, nga të cilat Kosova mund të përfitojë deri në 945 milionë euro përmes realizimit të agjendës së reformave”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

Ai tutje ka thënë se realizimi i kësaj agjende të reformave, do të ndikojë në tërësi pozitivisht mbi avancimin e Republikës së Kosovës në rrugëtimin evropian, si dhe do të “sjellë rezultate të prekshme në shumë fusha kyçe, e ku ndër to përfshihet dhe përmirësimi i mjedisit biznesor”.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Vendet e Bashkimit Evropian miratuan të martën një plan me vlerë 6 miliardë euro, për të mbështetur shtetet e Ballkanit Perëndimor, e që synon përshpejtimin e reformave dhe rritjen ekonomike në rajon, ndërsa ata kërkojnë anëtarësimin e ardhshëm në bllok.

Siç raporton Associated Press, Këshilli i Bashkimit Evropian tha se plani, i cili mbulon periudhën nga 2024 deri në 2027, pritet të sigurojë deri në 2 miliardë euro grante (2.15 miliardë dollarë) dhe 4 miliardë euro (4.3 miliardë dollarë) në kredi. Ndihma është një kontingjent reformash që do t’i sjellë vendet e Ballkanit Perëndimor në një linjë me rregullat e BE-së.

“Ndihma do të jetë mbështetje për një sërë reformash socio-ekonomike, përfshirë reformat e lidhura me sundim të ligjit dhe të të drejtave fondamentale”, ka thënë këshilli.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

Këshilli tha se një parakusht që Serbia dhe Kosova të marrin ndihmë është që “ato të angazhohen në mënyrë konstruktive me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të tyre”.

“Gjashtë vendet e rajonit – Shqipëria, Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – janë në faza të ndryshme në aplikimet e tyre për anëtarësim, por banorët janë të frustruar me ritmin e ngadaltë të procesit. Gjashtë vendet u zotuan të përshtatin rregulloret doganore dhe të krijojnë kalime të përbashkëta kufitare si vendet anëtare të BE-së. Ata vendosën gjithashtu objektiva për të nisur qendrat e kërkimit dhe të zhvillimit për industrinë dhe instalimin e Wi-Fi falas në vende publike”, shkruan AP.

Rruga Press

YouTube player