Bislimi në Varshavë: Kosova u përball me kërcënime të sigurisë
Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka deklaruar para takimit në Varshavë të Polonisë se Kosova është përballur me kërcënime të sigurisë në procesin zgjedhor.
Ai ka deklaruar të martën para takimit me zyrtarët e Bashkimit Evropian se ekziston shpërndarje intensive të informacioneve të rreme, derisa shtoi se bashkëpunimi është kundërpërgjigje ndaj kërcënimeve të sigurisë.
“Ne patëm zgjedhje në Kosovë javën e kaluar dhe e përjetuam drejtpërdrejt këtë formë të kërcënimeve të sigurisë, për sa i përket sulmeve në faqen e internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por edhe një frekuencë shumë të sofistikuar dhe intensive të shpërndarjes dhe prodhimit të informacioneve të rreme, shumë të sofistikuar për sa i përket çështjeve dhe kohës së përzgjedhur”, ka thënë Bislimi para takimit në nivel ministrash për çështje evropiane, takim i organizuar nga Presidenca e Polonisë së Këshillit të BE-së.
Bislimi ka shtuar se kërcënimet e tilla janë e përbashkëta e vendeve të BE-së.
Rruga Press