Bislimi e Petkoviq nisin sot negociatat në Bruksel për targat
Kryenegociatori i palës kosovare, Besnik Bislimi, i cili është përgjegjës për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka udhëtuar për në Bruksel me ftesë të përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell. Në Bruksel po ashtu do të jetë edhe kryenegaciatori serb Petar Petkoviq. Palët ku pritet të zhvillojnë negociata për targat.
Gjatë ditës së djeshme, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet urgjentisht të gjejnë një zgjidhje për të ulur tensionet, tensione këto frymezuara nga Beogradi.
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian tha se “nuk mund të arrijmë te 21 nëntori, pa pasur një marrëveshje”, dhe se siç thotë ai dorëheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës ka krijuar vakuum dhe mund të ndodhë më e keqja.
“Nuk mund të arrijmë te kjo datë pa pasur një marrëveshje ose do të jemi buzë një situate të rrezikshme. Tërheqja e serbëve nga institucione ka krijuar vakum, mund të ndodhë më e keqja. Kështu që të dy palët duhet të tregojnë më shumë fleksibilitet. Mesazhi nga Këshilli është i qartë, na duhet progres i qartë. E kemi prezantuar propozimin, e falënderoj Gjermaninë dhe Francën që e kanë mbështetur fuqishëm këtë propozim”, tha ai.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur prej se Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor zbatimin e drejte të planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.
Qeveria e Kosovës do që të gjitha makinat të riregjistrohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës, por Serbia kundërshton, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës. Si pasojë e tensioneve të rritura, serbët e veriut i kanë braktisur institucionet e Kosovës e shpejt pritet dhe që të ketë zgjedhje për zevendësimin e tyre.
Rruga Press