Art & KulturëKryesore

Bisedë përmes hekurash– Ismail Kadare, Ukshin Hoti

Parathënie nga Ismail Kadare

Ky libër e ka zanafillën në përpjekjen për lirimin nga burgu të Ukshin Hotit. Pas dërgimit të një serie letrash institucioneve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, si dhe ministrave të punëve të jashtme të vendeve kryesore perëndimore (bëhej fjalë për një ish-kolegun e tyre të rënë në fatkeqësi), u mendua se një libër në trajtë dialogu, i botuar në tri gjuhë: shqip, frëngjisht dhe anglisht, do të ishte më efikas për të kushtrimuar opinionin publik ndërkombëtar.

Ishte mesi i vitit 1997. Shqipëria porsa kishte dalë nga një dramë e shëmtuar vetëvrasëse, në Kosovë retë e zeza dendësoheshin çdo ditë. Më tepër se kurrë, ndihej nevoja e prijësve shqiptarë. Ndërkaq, Ukshin Hoti, njeriu që aq fort i duhej Kosovës, gjendej i lidhur me hekura.

Ky libër, pra, u mendua si një thyerje e këtyre hekurave. Roli i tij do të ishte i trefishtë: shpallja botërisht e pikëpamjeve të Ukshin Hotit, ato që e kishin çuar në burg, njohja nëpërmjet tyre e krejt dramës kosovare, lirimi i liderit. Dialogu me një të burgosur, gjë e mundur në çdo shtet demokratik, ishte i pamundur në një vend politikisht barbar si Serbia. Ndaj u mendua si një dialog i tërthortë, i një mendësuar përmes pyetjeve të dërguara me shkrim. Ishte e natyrshme që ky aksion të shoqërohej nga ankthi i vazhdueshëm: do të arrinin dot pyetjet të futeshin në burg? Do të arrinin dot përgjigjet të dilnin?

Falë rrethanave dhe njerëzve të guximshëm, gjysma e parë e mrekullisë ndodhi: pyetjet arritën tek i burgosuri. Pas kësaj e pabesueshmja po ndodhte: përgjigjet nisën të dilnin.

E gjithë kjo kërkoi një kohë tepër të gjatë. Një ngadalësi makthi diktonte ritmin e kësaj torture. Një si perde mjegulle rrinte mbi gjithçka. Duke e lexuar librin, lexuesi do ta ndiejë gjithmonë këtë mjegull. Pyetjet dhe përgjigjet shpesh nuk përkojnë. Aty-këtu ka zbrazësi. Nuk teprohet po të thuhet se libri ngjan herë-herë si i bombarduar. Shpjegimi është fare i thjeshtë: Ukshin Hoti i ka pasur pyetjet vetëm pak kohë (me sa duket, dy a tri orë) kështu që përgjigjet, të cilat me aq mund nisi t’i shkruante, i ka hartuar sipas kujtesës. Në botimin e librit është respektuar ky vizion i të burgosurit: pyetjet janë vënë bashkë, ashtu siç i ka lexuar ai, në atë ditë befasuese kur i ranë në dorë, dhe përgjigjet janë grumbulluar bashkë, ashtu siç i hartoi pastaj në ditët e zymta të burgimit.

Lexo më shumë  Maqedonci e Jashari në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Kanada

Në kohën kur ky libër po përgatitej me ngut, edhe më ngutshëm, përpara gjithë botës, po shpalo sej tragjedia e Kosovës. Krimi serb po afishohej përherë e më mizorisht e pa maskë. Një ndër tri sy nimet kryesore të këtij dialogu: lirimi i Ukshin Hotit, ai që pritej të kryhej falë këtij libri, kishte rrezik të dëmtohej pikërisht prej tij. Kjo ishte nyja tragjike që i mbajti ca kohë peng autorin e këtyre radhëve bashkë me njerëzit e afërm të Ukshin Hotit. Të egërsuar prej librit, kriminelët e Beogradit mund të shpejtonin zhdukjen e martirit.

Afati i lirimit të Ukshin Hotit (lirim pak i be sueshëm në kushte të tilla) nuk ishte larg megjithatë. Ndërkaq, rrokullisja e ngjarjeve ishte e tillë , që fati i Ukshin Hotit u plazmua e u bë njësh me fatin e krejt Kosovës, çka u ndodh vetëm liderëve martirë. Filloi bombardimi i Serbisë, e bashkë me të, i Kosovës. Populli shqiptar, i ndërgjegjshëm se çmimin e lirisë do ta paguante tepër shtrenjtë, pranoi flijimin si rrallëkush në kronikën e njerëzimit. Dramën e përjetuan të gjithë, por dyfish, dhjetëfish, e përjetuan ata që ishin lidhur në pranga në burgjet serbe. E ndër ta ishte Ukshin Hoti. Si në një epilog biblik, fati i tij u zhvendos në të tjera sfera, për të mbetur gjer më sot në mjegull të plotë.

Lexo më shumë  Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Askush ende nuk e di ç’ka ndodhur me Ukshin Hotin. Nuk e dimë nëse është apo nuk është më në këtë botë. Burgu i Dubravës, ku mendohet se ka qenë për herë të fundit, u bombardua prej NATO-s. Thuhet se më 16 maj, një ditë para mbarimit të afatit të burgut, u nxorr andej, i shoqëruar nga dy përcjellës, për t’u çuar në drejtim të panjohur. Thuhen gjëra të tjera të pavërtetuara nga askush.

Ky dialog, që qysh në krye u quajt natyrshëm “mes hekurash” u bë edhe më dramatik. Tani ai ka midis jo vetëm hekurat, por edhe mjegullën e dendur të së panjohurës e ndoshta të mosqenies.

Këtë pranverë, populli i Kosovës vazhdon të kërkojë njerëzit e vet të rrëmbyer nga barbarët pas ikjes nga Kosova. Ishte akti i fundit i historisë së tyre të zezë. Emrat e Flora Brovinës, Albin Kurtit, emrat e mijëra të tjerëve, një pjesë të pranguar e një pjesë të zhdukur, nuk mund të lënë të qetë ndërgjegjen e Europës.

Ukshin Hoti ndodhet tani në larginë. Le të shpresojmë që ai të jetë ende në botën e të gjallëve. Megjithatë, çfarëdo qoftë trajta e tij trupore, guri ku mbështet kryet, ose mbulesa sipër tij, shpirti i tij, është i paprekur. Ai shpirt i lirë ndodhet në kumtet që ka lënë, në librat e në letrat e tij. E mbi të gjitha, ai shtillet i plotë e ngadhënjyes në lirinë e Kosovës.

ISMAIL KADARE Tiranë, prill 2000.

Rruga Press

YouTube player