KryesoreLajme

BIRN: Mediat e mëdhaja shqiptare përhapin propagandë ruse

Më 3 dhjetor, Agjencia Telegrafike Shqiptare pyeti në një titull të publikuar në faqen e parë të saj në internet: “A do të bëhet realitet profecia e Baba Vangës që mund të ndryshojë botën në vitin 2026?”. Përgjigja është e thjeshtë: Jo!

Edhe pse nuk ekziston asnjë provë që Baba Vanga, një mistike bullgare me emrin Vangeliya Pandeva Gushterova, të ketë bërë ndonjë parashikim të shkruar gjatë jetës së saj, në mediat shqiptare, përfshi edhe ato publike, gjen me dhjetëra artikuj për profecitë e supozuara të saj.

Këto teori konspirative qarkullojnë vit pas viti, përgjithësisht të përkthyera nga media tabloide dhe pa asnjë kontroll editorial.

Publikimet që citojnë Baba Vangën janë të mbushura me paralajmërime për katastrofa; takimin e shumëpritur me alienët; profeci për zhdukjen e Europës dhe rëniën e botës nën sundimin e Vladimir Putinit.

Studiuesit i shikojnë raportime të tilla si pjesë të fushatave dezinformuese apo narrativash të rreme, të cilat lidhen sipas tyre, në një mënyrë ose tjetër me propagandën e shpërndarë nga Kremlini.

Erlis Çela, studiues i medias dhe komunikimit, vëren ndotje masive të informacionit përmes dezinformimit të maskuar si kuriozitet, një fenomen sipas tij i rrezikshëm.

“Ky rrezik ka të bëjë me faktin se profecitë mistike dhe narrativat apokaliptike, të cilat i serviren publikut si lajme, përdoren shpesh si instrument për përhapjen e propagandës,” tha Çela për BIRN.

Edhe Viola Keta, eksperte e verifikimit të fakteve, i sheh këto publikime si pjesë agjendash.

“Lajme të tilla, me personazhe të veshur me misticizëm, spekulime dhe të pavërteta, duke shfrytëzuar emocionalitetin e njerëzve dhe që përhapen në mënyrë të përsëritur, sidomos në prag të eventeve me interes global, me shumë shanse janë pjesë e agjendave që kërkojnë destabilitet dhe konfuzion,” theksoi Keta.

“E vërteta” sipas Baba Vangës

Vangeliya Pandeva Gushterova [1911-1996], e njohur ndryshe si Baba Vanga ishte një mistike dhe shëruese e verbër bullgare, e cila gjatë regjimit komunist u instrumentalizua nga shteti dhe me gjasë, dyshohet se u përdor nga shërbimet sekrete përmes Institutit të Sugjestologjisë.

Ajo njihet edhe për shkak të lidhjes me Lyudmila Zhivkovën, vajzën e diktatorit bullgar Todor Zhivkov. Në vitet ’80, Vanga priste vizitorë edhe nga udhëheqës të Bashkimit Sovjetik dhe takimet e saj menaxhoheshin deri në detaje nga shteti, i cili merrte edhe një tarifë simbolike nga vizitorët.

Kjo ka ngjallur spekulime, por fakti është që për parashikimet që ndante me vizitorët ajo merrte një rrogë nga regjimi i Zhivkovit.

Edhe pse sot njihet globalisht për parashikime gjeopolitike dhe apokaliptike, mbesa e saj, Krasimira Stoyanova, burimi më i besueshëm biografik rreth Vangës, shkroi se në realitet ajo jepte kryesisht këshilla personale shëndetësore dhe nuk ka lënë asnjë profeci të shkruar. Ajo jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj në zonën e Rupites në malet Kozhuh të Bullgarisë dhe vdiq në Sofje më 11 gusht 1996.

Lexo më shumë  Rritet profesionalizmi i FSK-së, furnizohen me veshmbathje speciale të zhytjes

Shumica e parashikimeve që i atribuohen vit pas viti besohet se janë trillime të mëvonshme, prej individësh, interpretuesish, prej tabloidëve dhe me raste edhe prej propagandës ruse, të cilat përdorin emrin e saj për të përhapur dezinformim dhe frikë.

Studimi akademik “Mediums, Media, and Mediated ‘Post’-Truth: Baba Vanga in the Russian Imagination” (Mediumët, Media dhe ‘Post’-e Vërteta e Ndërmjetësuar: Baba Vanga në Imagjinatën Ruse) nga Mary Neuburger dhe Adam Hanzel nga Universiteti i Teksasit në Austin, ilustron se si figura e Baba Vangës po përdoret për propagandë dhe për të krijuar narrativa pro-ruse.

Studiuesit thonë se “në të shumtën e rasteve, “e vërteta” sipas Vangës është e dobishme për regjimin e Putinit” dhe vënë në dukje se shpesh “profecitë” vijnë nga media afër pushtetit, por ato mund të jenë edhe shpikje sporadike që besohen masivisht për shkak të statusit të Vangës.

Ndërsa vënë në dukje se kjo nuk është diçka e kontrolluar direkt nga Kremlini, pasi kushdo mund të prodhojë një profeci të re në emër të Vangës, studiuesit theksojnë se ajo i shkon për shtat regjimit, sidomos kur parashikohen suksese të mundshme të presidentit Putin.

Bitter Ëinter, një revistë e publikuar në Torino që shkruan për të drejtat e njeriut dhe liritë fetare, shpjegon se në fakt Baba Vanga ishte e njohur në Bullgari jo për parashikimet gjeopolitike, por për këshillat për shëndetin e atyre që shkonin ta vizitonin. Pak a shumë si ata që “lexojnë” filxhanin e kafesë apo pëllëmbën e dorës.

Megjithatë, revista vë në dukje se media në Rusi si “Komsomolskaya Pravda”, një gazetë pranë regjimit, e përsërisin herë pas here “profecinë” e “Putinit që kontrollon botën”. Profecia fillimisht shoqëroi fitoren e Putinit në zgjedhjet e vitit 2018 (diçka krejtësisht e pritshme) dhe u ripublikua në vitin 2022 për të inkurajuar pushtimin e Ukrainës.

Zakonisht ky “parashikim” dhe ato që sinjalizojnë fundin e Perëndimit, për t’u bërë të përtypshme, shoqërohen me informacione shtesë mbi arritjet në shkencë, motin e keq dhe katastrofa natyrore në pjesë të ndryshme të botës.

Një studim i BIRN i vitit 2024 mbi “Shpërndarjen e narrativave dezinformuese kundër NATO-s dhe BE-së nga aktorë kundërshtarë në median shqiptare” gjeti se Vanga dhe misticizmi rreth saj ishte një prej mënyrave se si narrativat pro Putin dhe kundër BE apo NATO përfundonin te lexuesi shqiptar.

Lexo më shumë  Politikani serb Dragan Shormaz: “NIS”-i për Rusinë është instrument destabilizimi në Evropë dhe platformë inteligjence

“Megjithëse një figurë jo politike, parashikimet e Baba Vangës shpesh përdoren nga mediat konspirative dhe dezinformuese për të përforcuar narrativa të caktuara edhe kundër NATO-s dhe BE-së”, thuhet në studim.

Laundromat për lajme të rreme

Pavarësisht se profecitë përgënjeshtrohen vit pas viti, mediat në shqip duke ndjekur përgjithësisht verbërisht tabloidët britanikë, i riprodhojnë ato pa asnjë ndryshim. Kështu, “profecia” se Europa do marrë fund në vitin 2024 dhe më pas në vitin 2025, ndahen nga të njëjtat media pa reflektuar.

Mes mediave që i publikojnë profecitë e Baba Vangës janë edhe televizione kombëtare si  Top-Channel  apo  TV Klan,   të cilat i përkthejnë përgjithësisht nga Daily Mail. Materiale të ngjashme gjen edhe në media të tjera të njohura në vend si Euroneës, Panorama, Shqiptarja.com.

Të maskuara si kuriozitete, këto tekste me tituj “click-bait” për fundin e botës dhe katastrofa apo mrekulli, bëhen jashtëzakonisht virale afër fundit të çdo viti. Për të qenë të besueshëm, artikujt shoqërohen me “parashikime të suksesshme”, edhe pse askush nuk është në gjendje t’i verifikojë ato.

Kjo formë e ripublikimit njihet si laundromat i lajmeve të rreme. Procesi fillon kryesisht me një burim anonim në rrjete sociale, përcillet në tabloide dhe mbërrin copy-paste në media në Shqipëri, përfshi agjenci publike që nuk kanë nevojë për “click-bait” pasi paguhen nga buxheti i shtetit dhe jo nga reklamat.

“Për fat të keq konstatoj se këto lloj lajmesh janë bërë rutinë në media shqiptare. Shumë prej portaleve nuk janë të interesuara për të filtruar narrativat propagandistike që kamuflohen në këto publikime,” tha Erlis Çela.

“Për mua është tepër shqetësues fakti që një media publike, e cila mbështetet nga taksapaguesit dhe nuk funksionon me logjikën e medias komerciale, publikon lajme që synojnë të nxisin klikimet dhe që nuk kanë asnjë fakt të verifikuar,” shtoi ai.

Pavarësisht mungesës së burimeve reale, madje në mungesë totale të burimit të “profecisë”, referenca nga njëra media në tjetrën rrezikon të shihet nga publiku si informacion i besueshëm.

Sipas Ketës, lexuesit e kanë gjithnjë e më të vështirë që të dallojnë informacionin real mes numrit të madh të publikimeve spekulative.

“Tjetër gjë e rëndësishme, sa i ndërgjegjshëm është publiku se media nga e cila është marrë ky lajm, njihet për lajme spekulative dhe sensacionale dhe me një qasje antiemigracion, që lidhet më tutje me politikën që frymëzon këtë qasje,” përfundoi Keta.

Rruga Press

YouTube player