Bilanci i dëmeve të tërmetit: Efektet sa 7,5% e GDP, ekonomia u tkurr me mbi 2%
Tërmeti i dy viteve më parë la pas një bilanc të frikshëm në humbje jete dhe dëme materiale, pasojat e të cilit mund të shihen e preken edhe tani. 51 viktima, 913 të plagosur, 202 291 persona të prekur, 17 000 të zhvendosur dhe më shumë se 985 milionë euro dëme, ose thënë ndryshe sa 7,5 për qind e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar (GDP).
Një total prej 11 490 banesa u kategorizuan si të shkatërruara plotësisht, ndërsa 83 745 të tjera u dëmtuan në shkallë më të lehtë. Vlera totale e dëmeve u përllogarit në 696,3 milionë euro.
Pas ndërtimit, prodhimi ishte sektori i dytë i dëmtuar më së shumti. Efektet totale të vlerësuara kapën vlerën e 150,48 milionë eurove, nga ku 90,24 milionë euro i takonin turizmit, 53 milionë biznesit dhe punësimit, ndërsa pjesa tjetër nënsektorëve të tjerë.
Si pasojë e lëkundjeve, u dëmtuan 321 shkolla dhe kopshte në 11 bashki të vendit. Vlera totale e dëmeve dhe humbjeve në sektorin e arsimit u vlerësua në 72.35 milionë euro. Tërmeti dëmtoi 36 institucione shëndetësore, tre prej të cilave spitale rajonale, nëntë njësi spitali universitar, dy spitale komunale, dhjetë qendra shëndetësore dhe 12 njësi më të vogla shëndetësore. Dëmet u përllogaritën në vlerën e 9,93 milionë eurove.
Në Shijak, Durrës, Krujë, Tirana, Kamëz, Kavajë, Kurbin, Lezhë, Vorë, Rrogozhinë dhe Mirditë (me hartën e Shqipërisë) u përllogaritën gjithashtu 33.42 milionë euro dëme në infrastrukturë, 8.75 milionë euro në mbrojtje civile dhe 623,5 mijë euro në mbrojtje sociale.
Edhe pse i përqendruar në zonën Tiranë-Durrës-Lezhë, pasojat e tërmetit do t’i vuante e gjithë ekonomia kombëtare. Në fund të 2019-s, rritja ekonomike zbriti në 2,7% nga 4,3% që ishte parashikimi fillestar për vitin./a2/
RrugaPress