BotaKryesore

Bie koalicioni i kancelarit Scholz, Gjermania përballet me zgjedhje të parakohëshme

Koalicioni qeverisës i Gjermanisë ra të mërkurën pasi kancelari Olaf Scholz shkarkoi ministrin e tij të financave dhe u hapi rrugën zgjedhjeve të parakohëshme, duke shkaktuar kaos politik në ekonominë më të madhe të Europës, disa orë pasi Donald Trump fitoi zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Pas shkarkimit të Ministrit të Financave Christian Lindner të partisë “Demokratët e Lirë” (FDP), Scholz pritet të kryesojë një qeveri të pakicës me Social Demokratët e tij dhe të Gjelbërit, partia e dytë më e madhe e vendit.

Atij do t’i duhet të mbështetet në një shumicë parlamentare të forcave të ndryshme politike për të miratuar ligje dhe ka në plan të thërrasë një votëbesim në qeverinë e tij më 15 janar, gjë që mund të shkaktojë zgjedhje të parakohëshme deri në fund të marsit.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

Kancelari Scholz tha se do t’i kërkonte kreut të konservatorëve të opozitës Friedrich Merz, që është shumë përpara në sondazhe, mbështetjen për miratimin e buxhetit dhe rritjen e shpenzimeve ushtarake.

Merz do ta japë përgjigjen në një konferencë për shtyp të enjten në mëngjes. Rënia e aleancës prej tre partish të Scholz është pika kulmore e muajve të tërë mosmarrëveshjesh mbi politikën buxhetore dhe drejtimin ekonomik të Gjermanisë, ndërsa popullariteti i qeverisë ka rënë dhe forcat e ekstremit të djathtë e të majtë janë në rritje.
“Ne kemi nevojë për një qeveri që është në gjendje të veprojë, që ka forcën për të marrë vendimet e nevojshme për vendin tonë,” u tha zoti Scholz gazetarëve.

Kancelari Scholz tha se e shkarkoi Lindnerin për shkak të pengesave shkaktuar prej tij lidhur me mosmarrëveshjet buxhetore, duke akuzuar ministrin se ka vendosur partinë para vendit dhe ka bllokuar legjislacione pa baza.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Kriza në qeverisje vjen në një pikë kritike për Gjermaninë, me një ekonomi në rënie, infrastrukturë të vjetëruar dhe një ushtri të papërgatitur. Një tronditje politike mund të nxisë zhgënjimin në rritje me partitë kryesore të Gjermanisë në favor të lëvizjeve më të reja populiste, përfshirë Alternativën për Gjermaninë, (AfD) kundër emigrantëve.

Në kushtet kur Franca po përballet gjithashtu me pasiguri politike pas zgjedhjeve të parakohëshme këtë vit, problemet në dy ekonomitë më të mëdha të Bashkimit Europian mund të pengojnë përpjekjet për të çuar më tej integrimin e bllokut në një kohë kur po përballet me sfida nga lindja dhe perëndimi./VOA

Rruga Press

YouTube player