KryesoreLajme

Bie aludimi qesharak i FSHF-së, deri në Evropianin “Shqipëri – Serbi”, Kosova do t’i ketë të paktën katër stadiume moderne

Është pritur shumë rëndë, të paktën në Kosovë, vendimi i Federatës Shqiptare të Futbollit që të kandidojë së bashku me Federatën e Futbollit të Serbisë për organizimin e Kampionatit Evropian U21 të vitit 2027.

Kandidatura tashmë është zyrtare, ndërsa kjo u konfirmua të enjten nga FSHF-ja. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, tha se Kosova ishte opsioni i parë për kandidaturë të përbashkët, por se ajo nuk plotëson kushtet në mungesë të stadiumeve.

Kosova aktualisht nuk e ka asnjë stadium të gatshëm për një aktivitet të tillë kontinental. Por sikur për të demantuar Dukën e FSHF-në, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku të premten shkroi se për dy vjet në Kosovë do të jenë të paktën katër stadiume të nivelit të lartë, të gatshëm për lojë. Me katër stadiume moderne, që do të hapen para “Evropianit Shqipëri – Serbi”, sipas premtimit të Çekut, Kosova do të mund të ishte partnere e Shqipërisë për organizmin e Euro 2027 për futbollistët deri në 21 vjet.

Por FSHF-ja e Duka kishin ide të tjera.

“Me investimet që po bëhen në kuadër të planit tonë pesëvjeçar të futbollit dhe dinamikës së punimeve, brenda dy vjetëve Kosova do t’i ketë të paktën katër stadiume të kategorive të larta, të gatshme për lojë. Në fazën e zbatimit të punimeve janë stadiumi ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë, ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, stadiumi në Gjakovë, ‘Liman Gegaj’ në Malishevë, stadiumi në Shtime, ‘Rexhep Rexhepi’ në Drenas, pesë stadiumet ndihmëse në Bërnicë, Gjilan, Komoran, Raushiq, Studençan”, ka shkruar Çeku.

Lexo më shumë  SPAK ‘zbërtheu’ bandën e Suel Çelës! Arrestohen Xhino dhe Marsel Roka, dy vëllezërit e drejtoreshës së Agjencisë së Zhvillimit të Territorit

Stadiumet në Gjakovë, Malishevë e Drenas janë bashkëfinancim me komunat përkatëse.

Sipas ministrit Çeku, në fazën e procedurave për kontraktimin e punëve janë stadiumi nacional, stadiumi në Gjilan dhe ai në Hogosht. Në fazën e projektimit janë stadiumet në Ferizaj, Vushtrri, Rahovec, Suharekë, Pejë, Prizren e Podujevë.

Çeku ka premtuar se në vitin 2030, Kosova do të ketë infrastrukturën më të mirë të futbollit në regjion.

Por momentalisht e ka më të keqen. Dhe anashkalimi nga FSHF-ja edhe mund të kuptohet në një mënyrë, pasi punët e kryera deri më tani lënë shumë për të dëshiruar.

Por assesi nuk mund të kuptohet vendimi i FSHF-së për të bashkëpunuar me federatën serbe, përkundër përpjekjeve të Dukës për të arsyetuar vendimin. Serbia vazhdon të punojë fuqishëm kundër Kosovës, edhe në futboll, e rrjedhimisht edhe kundër interesave të shqiptarëve. Por Duka e FSHF-ja nuk e morën këtë shumë parasysh.

“Opsioni i parë ka qenë Kosova. Duke qenë se Kosova nuk i plotëson kriteret dhe ne gjithashtu nuk i plotësojmë kriteret për ta organizuar të vetëm, atëherë e pamë se aplikuesit ishin Shqipëria, Serbia, Turqia dhe Belgjika. Dy të tjerat nuk kishin interes të bashkohen me ne, atëherë e vetmja mbetej Serbia. Ne kemi interesa, sepse organizojmë një event madhor në Shqipëri dhe ekipi ynë kualifikohet automatikisht në ‘Euro 2027’”, ka thënë Duka për KOHËN, të enjten.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti: Qeveria e Kosovës po harton ligj të ri për mbrojtjen nga diskriminimi

Se infrastruktura momentale nuk është faktor kyç dëshmon edhe fakti që Serbia vetëm javën e kaluar nisi me ndërtimin e stadiumit nacional. Pikërisht në vënien e gurthemelit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi organizimin e Evropianit U21 të vitit 2027 së bashku me Shqipërinë. Dhe finalja pritet të organizohet pikërisht në stadiumin që sapo ka nisur të ndërtohet. Pra jo në Shqipëri.

Shqipëria nuk ka stadiume të mjaftueshme për ta organizuar e vetme Evropianin U21.

Se finalja do të zhvillohet në Serbi e jo në Shqipëri e ka thënë edhe Branislav Nedimoviq, nënkryetar i federatës serbe.

“Serbia ka kapacitete në kuptimin e stadiumeve, qendrave stërvitore dhe hoteleve, për organizimin e një ngjarjeje të tillë. Ideja është që finalja të mbahet në Beograd”, ka thënë Nedimoviq. 

Duka është edhe një nga nënpresidentët e UEFA-s. Dhe vlerësohet me goxha ndikim në Konfederatën Evropiane të Futbollit. Serbia po ashtu vlerësohet me ndikim. Prandaj gjasat që UEFA të vendosë që Evropiani 2027 i Shpresave të mbahet në Shqipëri e Serbi janë goxha të mëdha.

Në aspektin sportiv e ndoshta edhe financiar kjo ngjarje mund të jetë pozitive për FSHF-në si organizatë. Por assesi për Shqipërinë e për shqiptarët.

YouTube player