Bideni paralajmëron Putinin kundër pushtimit të Ukrainës
Presidenti Joe Biden u zotua të premten se do ta bëjë “shumë, shumë të vështirë” për presidentin rus Vladimir Putin, që të ndërmarrë veprime ushtarake në Ukrainë, duke thënë se administrata e tij po bashkon një sërë iniciativash gjithëpërfshirëse për të frenuar agresionin rus.
Presidenti i ofroi një paralajmërim të matur Putinit mes shqetësimit në rritje për një grumbullim trupash ruse në kufirin ukrainas dhe retorikës gjithnjë e më luftarake nga Kremlini.
“Ajo që po bëj është të bashkoj atë që besoj se do të jetë grupi më i plotë dhe më kuptimplotë i iniciativave për ta bërë shumë, shumë të vështirë për zotin Putin që të vazhdojë dhe të bëjë atë që njerëzit janë të shqetësuar se ai mund ta bëjë”, ka thënë Biden para gazetarëve.
Ka shenja se Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini janë afër organizimit të një bisede javën e ardhshme mes Bidenit dhe Putinit.
Këshilltari për çështjet e jashtme të Putinit, Yuri Ushakov u ka thënë gazetarëve të premten se janë bërë marrëveshje për një telefonatë Putin-Biden në ditët në vijim, duke shtuar se data do të shpallet pasi Moska dhe Uashingtoni të finalizojnë detajet. Rusët thonë se është rënë dakord për një datë, por nuk pranuan të thonë se kur.
Biden nuk ka dhënë detaje se çfarë veprimesh do të ndërmerreshin, por ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov, i cili u takua të enjten me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken në Suedi, ka deklaruar se SHBA-ja ka kërcënuar me sanksione të reja. Ai nuk dha detaje të sanksioneve të mundshme, por sugjeroi se përpjekja nuk do të ishte efektive.
Rruga Press