Bideni lëshon ‘bombën’: Ndërhyjmë ushtarakisht nëse Kina…
Presidenti amerikan, Joe Biden, paralajmëroi Kinën se po “luan me zjarrin” në lidhje me qëndrimin e saj për Tajvanin dhe u zotua të ndërhyjë ushtarakisht nëse ishulli pushtohet.
Deklarata e bërë gjatë një dalje për mediat nga Japonia, ku po zhvillon vizitë zyrtare, duket se bie ndesh me qëndrimin e deklaruar të Shteteve të Bashkuara deri tani.
I pyetur nëse SHBA do të mbronte ushtarakisht Tajvanin nëse Kina e pushton atë, ndërkohë që nuk e ka bërë këtë në Ukrainë, Biden u përgjigj: “Po… ky është zotimi që kemi bërë. Ideja që mund të merret me forcë… nuk është e përshtatshme. Do të shkaktonte pasojë në të gjithë rajonin dhe do të ishte një tjetër veprim, i ngjashëm me atë që ndodhi në Ukrainë”.
Kina e konsideron Tajvanin si pjesë të saj dhe thotë që duhet të ribashkohet me shtetin amë. Ishulli, i quajtur zyrtarisht Republika e Kinës, u formua nga nacionalistët e strehuar aty në përfundim të luftës civile – të zhvilluar pas Luftës II Botërore – në përfundim të së cilës komunistët morën pushtetin në Kinë.
Rruga Press