Biden do të presë liderët e Kanadasë dhe Meksikës në Shtëpinë e Bardhë
Presidenti amerikan Joe Biden do të presë liderët e Kanadasë dhe Meksikës në Shtëpinë e Bardhë për samitin e parë të liderëve të Amerikës së Veriut që nga viti 2016.
Të ashtuquajturit “Three Amigos”, Zoti Biden, Kryeministri Justin Trudeau dhe Presidenti Andrés Manuel López Obrador, do të takohen në Uashington më 18 nëntor. Të tre do të “riafirmojnë lidhjet e tyre të forta” dhe do të bashkëpunojnë për Covid-19, tha Shtëpia e Bardhë të mërkurën.
Ndryshimet klimatike, siguria shëndetësore dhe migrimi do të diskutohen gjithashtu. “Mezi pres të takohem me homologët e mi për të diskutuar një rrugë të re për partneritetet tona,” tha zoti Trudeau i Kanadasë në një deklaratë.
Takimi vjen pasi SHBA hoqi shumicën e kufizimeve kufitare të lidhura me pandeminë për udhëtarët e vaksinuar nga Kanadaja dhe Meksika , duke i dhënë fund një ndalimi 19-mujor për kalimet tokësore, jo thelbësore nga të dy vendet.
Marrëdhëniet midis “Three Amigos” ishin përgjithësisht të tensionuara gjatë administratës së mëparshme amerikane, nën Presidentin Donald Trump. Në vitin 2018, zoti Trump zemëroi fqinjët e tij duke vendosur tarifa të larta për çelikun dhe aluminin kanadez dhe meksikan, që vijnë në SHBA.
Të tre përfundimisht nënshkruan Marrëveshjen Shtetet e Bashkuara-Meksikë-Kanada, ose USMCA, pasardhësi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut.
© Rruga Press