Berisha: Rama aksioneri kryesor në aferën e Portit të Durrësit me vëllezërit Kariç
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka vijuar akuzat në drejtim të kryeministrit, Edi Rama për Portin e ri turistik të Durrësit, të cilën e konsideron aferë korruptive.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, Berisha u shpreh se Rama është aksioner kryesor, së bashku me vëllezërit serbë, Kariç.
Sipas Berishës, vëllezërit Kariç janë përfaqësuesit e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe atij bjellorus, Aleksandër Llukashenkos.
“Tani, lidhjet janë të kristalta me Beogradin dhe Lukashenkon e Bjellorusisë nëpëmjet vëllezërve Kariç. Vëllezërit Kariç pasi u vendosën në sanksione për bashkëpunim me Llukashenkon, kompanitë e tyre të regjistruara në Qipro, i shitën në Emiratet e Bashkuara dhe konkretisht tek këto kompani që po merret Edi Rama me to. Vëllezërit janë aty, i ka botuar Euroactiv, i shitën me një çmim 30 herë më të ulët seç ishin. Pra bëhet një formalitet, por ata në Dubain e Edi Ramës në Portin e Durrësit.
Natyrisht aksioner më kryesor është vetë Edi Rama. Unë isha mbrëmë me gazetarët dhe me të drejtë ata pyesin, ku e di ti këtë, që thua Edi Rama? Shumë e thjeshtë, nuk mund të imagjinoj kurrë nëse nuk do të kisha interesa direkte të miat që unë të fshija të tjerët që janë. Si mund t’i fsheh popullit tim, qytetarëve të mi, 60% të aksionerëve? Kjo nuk ndodh kurrë, kjo ndodh veç kur e ke ndërmarrjen tënde dhe qëndron ti pas saj”, theksoi Berisha.
Rruga Press