Berisha: Ndërhyrja e Ramës në çështjen e Kosovës është brutale, anti-kombëtare
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka thënë se ndërhyrja e kryeministrit aktual, Edi Rama në çështjen e Kosovës është brutale dhe anti-kombëtare.
“Ndërhyrja e Ramës në çështjen e Kosovës është brutale, anti-kombëtare. Kur flasim për Kosovën, duhet të flasim për mos ndërhyrjen në punët e brendshme të saj”, ka shkruar Berisha.
Sipas Berishës, afera McGonigal mban peng Edi Ramën, “ndaj dhe ai është i gatshëm të kryej çdo akt, vetëm që të lehtësojë pozitën e tij të pashpresë”.
Të martën e 13 qershorit, kryeministri Rama konfirmoi anulimin e mbledhjes së përbashkët në mes Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë, e planifikuar të mbahej të mërkurën e 14 qershorit në Gjakovë.
“Në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me bashkësinë euroatlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar, pasi kam folur pasdite me kryediplomatin Josep Borrell i kam kërkuar Kurtit të takohemi në Gjakovë në një format më të ngushtë me ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes për të diskutuar për këtë situatë”, kishte thënë Rama.
Rama kishte bërë të ditur se nuk ka pasur dakordim nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të ndryshuar formatin, por të mbahet mbledhja normalisht sikur herëve të kaluara.
“E kam ftuar Kurtin për të diskutuar për këtë situatë për ta afruar Kosovën me bashkësinë euroatlantike, ku marrëdhëniet e tyre janë në një pikë të paimagjinueshme, ku këta të fundit po konsiderojnë sanksione kundër shtetit që e krijuan vetë. Nuk kemi pasur dakord me Kurtin për ndryshim të formatit, ai ka kërkuar që mbledhja të bëhet normalisht, veç të diskutojmë për këtë. Por, kjo nuk është e mundur, sepse nuk është një moment për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që në fakt ndodh në realitetin e Kosovës sot. Mbase, nuk është një përgjigje përfundimtare nga Kurti. Unë shpresoj që mund të takohemi për të ballafaquar opinionet, në kushtet kur jemi në prag të planit për sanksione kundër shtetit që e krijuan vetë. Kur jemi në prag të lëvizjes së planit se nuk ma zë as goja të flas, për sanksionet, të masave shtrënguese ndaj një shteti që është krijuar nga ata që janë qartësisht në sosje të durimit”, ka vijuar Rama.
Rruga Press