Bota

Belgjika do t’i hetojë dyshimet për ndërhyrje të Rusisë në zgjedhjet evropiane

Kryeministri belg, Alexander De Croo ka bërë të ditur të premten për një hetim lidhur me ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet evropiane të qershorit, duke thënë se shërbimi i Inteligjencës i shtetit të tij ka konfirmuar ekzistencën e një rrjeti që përpiqet të minojë mbështetjen për Ukrainën.

“Shërbimi i inteligjencës belge e ka konfirmuar ekzistencën e rrjeteve ndërhyrëse pro-ruse me aktivitete në disa shtete evropiane, e po ashtu këtu në Belgjikë”, ka thënë De Croo, shteti i të cilit aktualisht mban presidencën e Bashkimit Evropian, raporton AP.

De Croo ka thënë se agjencitë belge po punojnë ngushtë me autoritetet çeke pas zbulimit të një operacioni të ndikimit pro-rus atje. Ai ka shtuar se hetimi tregoi se anëtarëve të Parlamentit Evropian iu ofruan para për të promovuar propagandën ruse.

Lexo më shumë  Nuk munguan as goditjet – detaje dhe pamje rreth përplasjes fizike mes deputetëve në Parlamentin e Serbisë

“Sipas shërbimit tonë të inteligjencës, qëllimet e Moskës janë shumë të qarta. Qëllimi është që të ndikohet në zgjedhjen e sa më shumë kandidatëve pro-rusë në Parlamentin Evropian dhe për të përforcuar kështu një narrativë pro-ruse në këtë institucion”, u ka thënë ai gazetarëve. 

De Croo ka shtuar se “qëllimi është shumë i pastër: një mbështetje më e dobët evropiane për Ukrainën i shërben Rusisë në fushën e betejës dhe ky është qëllimi real i asaj që është zbuluar në javët e fundit”.

Zgjedhjet në mbarë Evropën do të mbahen më 6-9 qershor për të zgjedhur një parlament të ri të BE-së.

Kryeministri belg ka thënë se prokurorët belgë janë duke ndërmarrë veprime. Ai ka nënvizuar se “pagesat kesh nuk kanë ndodhur në Belgjikë, por se ndikimet po”.

Ai nuk ka dhënë detaje të tjera se kush mund të jetë i dyshuar. 

Autoritetet belge zbuluan një operacion të ndikimit në Parlamentin Evropian në dhjetor të vitit 2022, duke përfshirë zyrtarë nga Katari. Qeveria e Katarit i ka mohuar akuzat.

Rruga Press

YouTube player