Bekim Qoku: Ali Ahmeti dhe BDI-ja gjejnë gjithmonë gjuhë të përbashkët me strukturat më antishqiptare në Maqedoninë e Veriut
Deputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, ka akuzuar BDI-në dhe liderin e saj Ali Ahmeti për bashkëpunime të njëpasnjëshme me struktura politike që ai i cilëson si “shoviniste” dhe “antishqiptare”, duke folur për një “pakt të rrezikshëm me dreqin, me fytyra të ndryshme, por me qëllime të njëjta.”
Në deklaratën e tij, Qoku përmend disa figura të njohura në Maqedoninë e Veriut me të cilat BDI-ja ka bashkëpunuar ndër vite – përfshirë Ljube Boshkovskin, të akuzuar për krime lufte ndaj shqiptarëve, si dhe Nikolla Gruevskin dhe Sasho Mijallkovin, të cilët ai i përshkruan si figura me “duar të përgjakura”.
Sipas Qokut, lidhjet me këta politikanë shkuan deri në ndihmën për arratisjen e Gruevskit dhe përpjekjet për amnistinë e Mijallkovit, përfshirë, siç thotë ai, edhe ndryshime në Kodin Penal dhe mbajtjen e dosjeve në sirtarë deri në vjetërsim nga një gjykatës i afërt me BDI-në, tashmë në Listën e Zezë.
Deputeti i VLEN-it nuk lë pa përmendur as afërsinë e BDI-së me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, i cili jo vetëm u prit me nderime në Ohër, por u përfshi edhe në mbështetjen e fushatës së kësaj partie.
Më tutje, ai kritikon për afrimin e fundit të BDI-së me partinë Levica, të njohur për qëndrime anti-Kosovë, ku në program politik ka çnjohjen e saj dhe me retorikë shoviniste ndaj shqiptarëve.
“Është tronditëse që strukturat më antishqiptare në këtë vend gjithmonë arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët me Ali Ahmetin dhe partinë e tij,” – deklaroi Qoku.
Deklarimi i plotë i deputetit Bekim Qoku:
Është tronditëse fakti se politikanët më antishqiptarë, më shovinistë të MV e më gjerë gjejnë gjithmonë një gjuhë të përbashkët dhe kuptohen për mrekulli me Ali Ahmetin dhe BDI-në.
Njëherë Boshkovski, i akuzuar për krime lufte ndaj shqiptarëve. Me të bënin bashkërisht fushatë.
Pastaj pamë një vëllazërim të pashpjegueshëm me Mijallkovin dhe Gruevskin, dy figurat politike skajmërisht antishqiptare që kanë duar gjak.
Afërsia e tyre shkoi shumë larg, saqë Gruevskin e ndihmuan të arratiset, pastaj nuk lanë gur pa lëvizur për ta kthyer si shpëtimtarin e tyre.
Argatët e Ali Ahmetit bënë çmos ta amnistojnë Mijallkovin, madje shkuan aq thellë sa ndryshuan Kodin Penal për ta shpëtuar nga dënimi. Një gjykatës i Ali Ahmetit u fut në Listën e Zezë sepse kishte ruajtur disa dosje të Mijallkovit derisa u vjetërsuan.
Pastaj Aliu dhe BDIja e tij ranë në sevda me Vuçiqin. Ai u bëri fushatë këtyre ndërsa këta e pritën si një mik të madh në Ohër.
Tani, BDI dhe argatët e saj, kanë gjetur muhabetin me strukturën më shovene aktuale kundrejt shqiptarëve Levicën. Levica në programin e saj ka çnjohjen e Kosovës.
Vërtet për t’u habitur kjo afërsi e ky pakt me “dreqin” me fytyra të ndryshme por me qëllime të njëjta.
Këta janë të gjitha fakte të pakontestueshme.
Rruga Press

