KryesoreLajme

Bekim Jashari: Nuk mund të jesh shok i Adem Jasharit pa e mbështetur sovranitetin e Kosovës në veri

Bekim Hamëz Jashari ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të disa individëve dhe politikanëve, të cilët, sipas tij, po përbuzin veprimet legjitime të Qeverisë së Kosovës për shtrirjen e sovranitetit dhe integritetit territorial në veri të vendit.

Në një reagim publik, Jashari e ka cilësuar si të turpshme dhe të papranueshme sjelljen e atyre që, ndonëse thirren si “shokë” të Kryekomandantit Adem Jashari, krahasojnë veprimet shtetërore të Kosovës me krimet e regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit.

Sipas tij, këto deklarata nuk janë as pasojë e padijes dhe as lapsuse politike, por përbëjnë fyerje të rëndë ndaj sakrificës së popullit shqiptar. Jashari thekson se nuk mund të krahasohet sundimi dhe shtypja e përgjakshme e Serbisë ndaj shqiptarëve me veprimet e një shteti sovran që po shuan struktura paralele ilegale, po vendos rend dhe ligj dhe po garanton funksionimin e institucioneve në çdo pjesë të territorit të Kosovës.

Lexo më shumë  Lista Serbe gjobitet edhe me 30 mijë euro të tjera nga PZAP-ja

Ai paralajmëron se deklarata të tilla i shërbejnë drejtpërdrejt narrativës së Serbisë, e cila, sipas tij, synon përçarjen e brendshme, papërgjegjshmërinë politike dhe largimin e Kosovës nga interesat e saj vitale shtetërore.

“Populli na njeh mirë dhe nuk i ka harruar veprimet e secilit prej nesh ndër vite, sidomos në momentet më të vështira për vendin. Historia nuk fshihet me deklarata ditore dhe as nuk rishkruhet për interesa politike”, ka theksuar Jashari.

Lexo më shumë  Dogana e Kosovës shënon rekord historik të të hyrave, 1.968 miliardë euro të arkëtuara

Në fund, ai ka bërë thirrje për unitet, maturi dhe përgjegjësi kombëtare, duke nënvizuar se politika duhet të shërbejë si mjet bashkimi rreth interesave strategjike të Kosovës, e jo si instrument për përçarje, relativizim të krimeve serbe apo përfitime të ngushta partiake.

“Kosova ka nevojë për lidership të përgjegjshëm, me dinjitet kombëtar, që i shërben shtetit dhe atdheut, jo egos personale dhe kalkulimeve politike afatshkurtra”, përfundon reagimi i Bekim Hamëz Jasharit.

YouTube player