Bekim Jashari godet OVL-në Kemi mijëra arsye për të festuar lirinë, bojkoti s’ndryshon rrjedhën e historisë
Bekim Jashari djali i Heroit Hamëz Jashari, ka reaguar pas vendimit të OVL së UÇK-së për të bojkotuar organizmimet e institucioneve të Kosovës për kremtimin e 17-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe manifestimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së të familjes Jashari më 5, 6 dhe 7 mars.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Jashari tha se vendi ka mijëra arsye për të festuar lirinë dhe pavarësinë, të fituara me gjak dhe sakrificë, teksa bojkoti i këtyre momenteve, sipas tij nuk ndryshon rrjedhën e historisë, por flet shumë për ata që zgjedhin ta bëjnë.
Postimi:
Kur erdhi dita për t’i dalë zot atdheut, bijtë dhe bijat e Kosovës iu përgjigjën kushtrimit pa hezitim, duke lënë mënjanë çdo dallim.
Vetëm pak ishin ata që bojkotuan dhe nuk u bënë pjesë e “dasmës së lirisë”.
Sot kemi mijëra arsye për të festuar lirinë dhe pavarësinë, të fituara me gjak dhe sakrificë.
Bojkoti i këtyre momenteve nuk ndryshon rrjedhën e historisë, por flet shumë për ata që zgjedhin ta bëjnë.
Kosova është meritë e të gjithëve, dhe në vend të bojkotit, mirënjohja dhe nderimi për ata që na sollën lirinë duhet të na bashkojnë.
Siç thoshte mixha Rifat: “Humba 56 anëtarë të familjes, por fitova zemrat e miliona shqiptarëve.”
Asgjë nuk mund ta zbehë madhështinë e kësaj feste! Lavdi dëshmorëve!
Rruga Press