Bekim Hamëz Jashari: Nuk kam fjalë! Për aksionet e policisë në veri thonë dhunë, për institucionet paralele prokuroria thotë s’ka prova
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi sot në mëngjesin e së mërkurës se janë mbyllur komuna paralele të Serbisë, si dhe posta e zyra tatimore në dhjetë komuna të ndryshme të vendit. Në tërësi u mbyllen rreth 30 objekte të strukuturave paralele ilegale të Serbisë në Kosovë.
Aksionet u zhvilluan në komunën e Lipjanit, Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skënderajt.
Prokuroria e Prishtinës u deklarua se e kishte refuzuar kërkesen e Policisë së Kosovës për bastisje në lokacionet e këtij rajoni.
Prokuroria e Prishtinës përmes një komunikate për media më 15.01.2025 ka njoftuar se prokurori i shtetit nuk ka autorizuar kryerjen e bastisjeve nga ana e policisë në disa lokacione për shkak të dyshimit se ekzistojnë struktura paralele. Sipas prokurorisë, nuk është ofruar ndonjë provë para prokurorit të shtetit në mënyrë që të krijohet dyshimi se është duke u kryer ndonjë vepër penale, e cila bie në kompetencën e Prokurorisë Themelore.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu këtë qëndrim të prokurorisë e quajti skandaloz. Ajo tha se në vend që të vepronin shumë vite më parë dhe t’i mbyllnin zyrat e strukturave ilegale, ata nga zyrat e tyre lëshojnë komunikata kundër veprimeve të ligjshme dhe të drejta të policisë.
“A ka kush që i kupton këta zyrtarë të shtetit që mbajnë emrin prokurorë? Në shërbim të kujt janë?”, tha në fund ministrja Haxhiu.
Në lidhje me këtë deklaratë të turpshme të prokurorisë reagoi edhe Bekim Jashari, djali i heroit kombëtar Hamëz Jashari, duke u shprehur se deri kur do të shkojë kështu, ku aksionet e policisë në veri të vendit i quajnë dhunë, presion, fashizëm, deri te krahasimi me Millosheviqin, ndërsa për institucionet paralele dhe aksionin e mbylljes së tyre thuhet “s’ka marrë leje, ska urdhër të Prokurorit. S’kemi prova a janë duke kryer vepra penale”.
“Për çfarë? Për të luftuar mbetjet e Serbisë në Kosovë”, u shpreh Bekim Hamëz Jashari, teksa tha se nuk ka fjalë për t’u shprehur.
Deklarimi i plotë i Bekim Hamëz Jasharit:
Deri kur kështu? 25 vite pas çlirimit të vendit, 17 vite shtet. Dëgjoj lloj-lloj deklarimesh, lajme e akuza:
“Veriun e vendit”
Aksionet e policisë i quajnë dhunë, presion, fashizëm, deri te krahasimi me Millosheviqin.
“Institucionet paralele”
S’ka marrë leje, ska urdhër të Prokurorit. S’kemi prova a janë duke kryer vepra penale.
Për çfarë? Për të luftuar mbetjet e Serbisë në Kosovë. Nuk kam fjalë për t’u shprehur. Kush jemi dhe kush paskemi qenë ne, shqiptarët?
Gjergj Fishta kishte thënë nga mllefi, njëjt si unë sot:
“Ma kollaj asht me mbushun një thes me pleshta sesa me i ba bashk dy shqiptarë”
Respekt e mirënjohje për Policinë e Kosovës!
Lavdi dëshmorëve të UÇK-së 🇦🇱
Rruga Press