“Bëjnë gara…”, banorët ankohen për unazën e Pogradecit, pikë e errët për aksidente rrugore
“Këtu bëjnë gara, fillojnë që te karburanti, vijnë dyshe dhe kush t’ja kalojë.”
Që pasi u rikonstruktua tre vite më parë, segmenti i Unazës së Pogradecit është kthyer në një rrugë ku aksidentet kanë qenë të vazhdueshme.
“E ka marrë plakun zvarrë nga atje lart dhe e ka çuar në fund.”
Problematika kryesore e këtij segmenti nacional është se në të dyja krahët e tij ka banesa dhe lëvizje këmbësorësh.
Kalimi për banorët është shumë i rrezikshëm.
Nuk kanë munguar as viktimat.
“110-120 km/h këtu, kjo xhade është bërë sketerrë, se kalon një fëmijë me biçikletë…”
Rruga është pajisur me sinjalistikë por sipas banorëve drejtuesit e mjeteve nuk e respektojnë ndaj kërkojnë shtimin e elementëve të sigurisë.
“Një pritë duam këtu.”
“Ti bëhen ca ndërprerje rrugës, mos të harbojnë sikur janë në avion.”
“Jemi ankuar por nuk dëgjohet fjala këtu.”
Sipas ekspertëve, Unaza e Pogradecit nuk mund të cilësohet aks nacional për shkakun se kalon mes një zone të banuar.
Për pasojë ky semgment është shenjuar si njollë e zezë e aksidenteve, e pranuar edhe nga policia rrugore e cila paralajmëron se aty do të nisë monitorimi me radar.
Unaza e Pogradecit sipas specialistëve nuk mund të cilësohet aks nacional pasi kalon përmes një zone të banuar ndërsa sot për sot ajo është nën juridiksionin e ARRSH, e cila nisur nga numri i lartë i aksideteve duhet që prej kohësh të kishte shtuar elementët e sigurisë.
Ora News mori kontakt edhe me shefin e qarkullimit rrugor Korçë Lefter Hysi në lidhje me këtë segment rrugor. Hysi tha se ky segment është i shenjuar si njollë e zezë për aksidentet rrugore.
Ai tha se ka nevojë për të shtuar elementët e sigurisë për shkak të hyre-daljeve të shumta, kontrollet e policisë kanë qenë periodike dhe shtoi se shumë shpejt do të ngrihet një task forcë e cila do të veprojë me instrumet (radar) dhe do të vendosen edhe në këtë zonë.
Rruga Press