KryesoreLajme

“BE, zgjohu! Mos ua lë Ballkanin Perëndimor Rusisë dhe Kinës”

Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës dhe vlerave evropiane duhet të na kujtojë sa i rëndësishëm është procesi i zgjerimit, nëse kryhet si duhet, si motor për demokracinë, lirinë, paqen, sundimin e rendit dhe prosperitetit”, argumentojnë eurodeputetët e Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve(S&D), duke u bërë thirrje shteteve anëtare që menjëherë të fillojnë bisedimet për anëtarësim me Shkupin dhe Tiranën

6 prilli i vitit 1992, fillimi i luftës në Bosnjë-Hercegovinë, që zgjati deri më 1995 dhe mori jetën e më shumë se 100 mijë personave. Krimi më i tmerrshëm u krye në Srebrenicë në lindje, ku brenda pak ditësh të korrikut të vitit 1995, ushtarët e serbëve të Bosnjës vranë më shumë se 8.000 mijë burra dhe djem boshnjakë. 30 vjet më vonë, Bosnjë dhe Hercegovina sot është në krizë të thellë politike, e bërë pikë e pesë prej elitave të korruptuara politike, mohuesve të gjenocidit dhe politikanëve pro Kremlinit. Ata janë të gatshëm ta çojnë vendin drejt kolapsit për agjendat e tyre separatiste dhe interesat e tyre personale. Si demokratë dhe socialistë, kaherë i kemi bërë thirrje Bashkimit Evropian që të jetë më aktiv për t’i dhënë fund krizës, përfshirë nëpërmjet presionit dhe sanksioneve kundër atyre që bojkotojnë institucionet shtetërore. BE-ja e ka obligim të mbrojë integritetin, unitetin dhe paqen e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe të parandalojë kthimin e dhunës së viteve 1990.

Por për të luajtur një rol më të fortë politik në Bosnjë dhe Hercegovinë, Evropa duhet të rifitojë urgjentisht kredibilitetin e saj në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Është e habitshme se sa të zhgënjyer me BE-në po tregohen njerëzit e rajonit. Besimi në BE po bie. Për shembull, perceptimet e BE-së si aleati më i madh i Maqedonisë së Veriut ranë ndjeshëm nga 43.2% në 2019 në 13.1% në 2021, sipas Institutit për Demokraci – Societas Civilis.

Lexo më shumë  Kosova dërgon kontingjentin e ri të FSK-së për trajnimin e ushtarëve ukrainas në Mbretërinë e Bashkuar

Një arsye për këtë është mosveprimi i Evropës. Ose edhe më keq: Premtimet e shkelura. Kur Athina dhe Shkupi u pajtuan për Marrëveshjen historike të Prespës katër vjet më parë për të zgjidhur kontestin 27-vjeçar për emrin, u hap një mundësi mahnitëse: për të filluar, afruar Ballkanin Perëndimor në gjirin e Unionit – dhe duke vepruar kështu, të hidheshin farat e paqes dhe prosperitetit për miliona njerëz. Por ne nuk e mbajtëm fjalën. BE-ja ende nuk ka nisur bisedimet për anëtarësim as me Maqedoninë e Veriut, e as me Shqipërinë, megjithëse ka thënë vazhdimisht se dy vendet kanë bërë gjithçka që kemi kërkuar prej tyre për të nisur negociatat.

Lufta e Putinit kundër Ukrainës dhe vlerave evropiane duhet të jetë një thirrje zgjimi për BE-në që urgjentisht të rishprehë zotimet e veta para Ballkanit Perëndimor. Vonesa e mëtejshme në procesin e zgjerimit do ta bëjë rajonin më të cenueshëm. Shumë fuqi rajonale dhe botërore kanë interes politik dhe financiar në ngritje për të davaritur ambiciet evropiane të gjashtë republikave të Ballkanit Perëndimor. Ndërhyrja e jashtme ruse dhe fushatat dezinformuese tashmë kanë lënë shenjën e tyre, sidomos në Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi, ku kemi parë demonstrata të përkrahjes për Federatën Ruse pas sulmit të Putinit mbi Ukrainën. Varësia e Serbisë nga Moska shkon deri në atë pikë, saqë edhe Qeveria refuzon t’u bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Nëse autoritetet serbe nuk ndryshojnë kursin e tyre pas zgjedhjeve të së dielës, atëherë duhet të ketë pasoja për perspektivën e vendit në BE. Por në çdo rast, Evropa nuk duhet të heqë dorë prej rajonit. Më shumë se kurrë, na duhet zotimi dhe veprimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor për t’iu kundërvënë Rusisë dhe fushatave të ndërhyrjes së Kinës, që përhapin ndjenjë anti-BE dhe mundohen të destabilizojnë krejt rajonin. I trimërojmë liderët e shteteve dhe qeverive të BE-së që më në fund të hapin negociatat e anëtarësimit me Shkupin dhe Tiranën.

Lexo më shumë  Vuçiqi takohet me zëvendëskryeministrin kinez, thotë se Kina po e mbështet Serbinë nga “ndërhyrjet e huaja” për të cilat akuzon Perëndimin

Ne besojmë fuqishëm se kur të hapen negociatat, ndikimi i dezinformimit rus, si dhe i grupeve dhe partive populiste të mbështetura nga Rusia do të bjerë dhe forcat proevropiane dhe prodemokratike do të përqendrohen në reformat e nevojshme drejt anëtarësimit evropian. Procesi i zgjerimit, i kryer si duhet, do të jetë motor për ndryshime për demokraci, liria mediash, liri civile dhe sundim të ligjit – vlera që Putini ua ka mohuar rusëve për vite me radhë dhe për të cilat tani po luftojnë ukrainasit.

E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, në sundimin e rendit, të demokracisë liberale, drejtësisë sociale dhe shpirtit inovativ të një shoqërie të hapur. Anëtarësimi në BE dhe, më e rëndësishmja, negociatat e vërteta dhe ambicioze në rrugën që e ofrojnë, janë garancia e vetme që qytetarët e gjashtë vendeve do t’i gëzojnë në një pikë këto përfitime. Evropa nuk duhet t’i zhgënjejë.

(Eurodeputetët socialistë dhe demokratë të përfshirë në Ballkanin Perëndimor: Tonino Picula, zëdhënës i S&D-së për çështje të politikës së jashtme dhe raportues i Parlamentit Evropian për Malin e Zi.  Tanja Fajon, eurodeputete e S&D-së dhe kryesuese e delegacionit të PE-së për Serbinë, Isabel Santos, eurodeputete e S&D-së dhe raportuese e PE-së për Shqipërinë, Andreas Schieder, eurodeputet i S&D-së dhe kryesues i delegacionit të PE-së për Maqedoninë e Veriut, Dietmar Koster, eurodeputet i S&D-së dhe raportues në hije për Bosnjë dhe Hercegovinën, Demetris Papadakis, eurodeputet i S&D-së dhe raportues në hije për Serbinë.)

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *