Bota

BE-së i kërkohet ndërtimi i një linje mbrojtëse përgjatë kufirit me Rusinë e Bjellorusinë

Polonia, Lituania, Letonia dhe Estonia i kanë kërkuar Bashkimit Evropian që të ndërtojë një linjë mbrojtëse përgjatë kufirit të bllokut me Rusinë dhe Bjellorusinë për ta mbrojtur BE-në nga kërcënimet ushtarake dhe aktivitetet e tjera të dëmshme ruse.

Liderët e katër vendeve që ndajnë kufijtë me Rusinë dhe Bjellorusinë thanë se projektit, për të mbrojtur bllokun 27-vendesh prej 450 milionë banorësh, i nevojitet mbështetja financiare e të gjithë anëtarëve.
“Ndërtimi i një sistemi mbrojtës përgjatë kufirit të jashtëm të BE-së me Rusinë dhe Bjellorusinë do të adresojë nevojën urgjente për të siguruar BE-në nga kërcënimet ushtarake dhe hibride”, thuhet në letrën e katër liderëve, e cila do të jetë temë diskutimi në samitin që fillon më 27 qershor në Bruksel.
Kërcënimet hibride i referohen një kombinimi të mjeteve ushtarake dhe jo ushtarake, si dhe mjeteve të tjera, përfshirë dezinformimin, sulmet kibernetike, presionin ekonomik dhe shtyrjen e emigrantëve përtej kufijve, raporton “Reuters”.

Lexo më shumë  Polonia pritet të nënshkruajë marrëveshje të sigurisë me Ukrainën para samitit të NATO-s

“Shkalla dhe kostot e kësaj përpjekjeje të përbashkët kërkojnë përgjigje të përkushtuar të BE-së për ta mbështetur atë si politikisht ashtu edhe financiarisht”, thuhet në letër.

Disa diplomatë të BE-së e kanë vlerësuar koston e ndërtimit të një linje të tillë mbrojtëse në terren përgjatë 700 kilometrave të kufirit të BE-së me Rusinë dhe Bjellorusinë, në rreth 2.5 miliardë euro.
Investimi evropian në fushën e mbrojtjes do të jetë një nga temat kryesore të diskutimit midis liderëve të BE-së në samit.

Thirrja për linjën e mbrojtjes tokësore, të financuar bashkërisht në kufirin lindor të Bashkimit Evropian vjen në krye të një nisme të mëparshme nga Greqia dhe Polonia për të krijuar një sistem të mbrojtjes ajrore të BE-së, të modeluar sipas Kupolës së Hekurt izraelite, që do të koordinonte sistemet e mbrojtjes ajrore të vendeve të bllokut.

“Duhet të zbatohen masa të jashtëzakonshme pasi kufiri i jashtëm i BE-së duhet të sigurohet dhe të mbrohet me mjete ushtarake dhe civile”, thuhet më tutje në letrën e katër vendeve.

Në letër thuhet po ashtu se planifikimi dhe ekzekutimi i linjës së mbrojtjes në kufirin lindor të BE-së duhet të bëhet në koordinim me NATO-n dhe kërkesat e saj ushtarake.

Rruga Press

YouTube player