BE-ja me sanksione të reja ndaj Bjellorusisë
Bashkimi Evropian pritet të miratojë pakon e pestë të sanksioneve kundër Bjellorusisë, ku do të sanksionohen 17 persona dhe 12 entitete.
Personat që pritet të sanksionohen janë të përfshirë, në atë që blloku evropian thotë se është orkestrim i Minskut për krizën që ka lënë mijëra migrantë në kushte të rënda në kufirin ndërmjet Bjellorusisë dhe BE-së.
Radio Evropa e Lirë ka parë dokumentin, që pritet të miratohet nga BE-ja më 1 dhjetor. Në listën e sanksioneve është përfshirë kompania kombëtare ajrore, Belavia, por edhe kompani të turizmit që akuzohen se kanë ndihmuar në transportimin e migrantëve, kryesisht nga Lindja e Mesme, e të cilët më pas janë nisur drejt kufijve të BE-së.
Në listën e sanksioneve janë edhe disa gjyqtarë dhe figura të tjera të sektorit gjyqësor në Bjellorusi, siç janë edhe prokurorët që kanë thënë se kanë ndihmuar regjimin e Alyaksandr Lukashenkës që të shtypë disidentët pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale të gushtit të vitit 2020. Opozita thotë se këto zgjedhje janë manipuluar, por Lukashenka pretendon se i ka fituar.
“Duke pasur parasysh peshën e situatës në Bjellorusi, 17 persona dhe 12 entitete duhet të përfshihen në listën e personave dhe entiteteve që janë subjekt i masave kufizuese”, thuhet në dokument, për të cilin anëtarët e bllokut janë pajtuar paraprakisht më herët gjatë këtij muaji.
BE-ja e akuzon Lukashekën për “luftë hibride” duke lejuar migrantët që të arrijnë me avionë në Bjellorusi dhe më pas duke i dërguara ata drejt kufijve të bllokut si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve që BE-ja më herët ka vendosur ndaj Bjellorusisë për shkak të shtypjes së protestave të opozitës.
Polonia, Letonia dhe Lituania kanë ngritur gardhe dhe kanë dërguar mijëra roje kufitare, ushtarë e policë për të ruajtur kufirin, ku mijëra migrantë po qëndrojnë në temperatura të ulëta, teksa përplasjet mes Bjellorusisë dhe BE-së po vazhdojnë. Të paktën 11 migrantë kanë vdekur në muajt e fundit, kanë thënë grupet e ndihmës.
Në rastin e kompanisë Belavia, BE-ja tha se Lukashenka ka premtuar mbështetjen e tij, pasi blloku ia hoqi të drejtat e udhëtimit të gjitha kompanive ajrore bjelloruse. Kjo kompani, ndërkaq, kishte udhëzuar punëtorët e saj që të mos protestonin kundër rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, protesta që u shtypën nga regjimi i Lukashenkës.
“Migrantët që duan të kalojnë në kufijtë e bllokut kanë fluturuar drejt Minskut, përmes fluturimeve që operohen nga Belavia, nga një numër i shteteve në Lindjen e Mesme… Në mënyrë që të lehtësojë këtë, Belavia ka hapur rrugë të reja ajrore dhe ka rritur numrin e fluturimeve në rrugët ekzistuese”, thuhet në dokumentin e BE-së.
“Prandaj, Belavia ka kontribuar në aktivitetet që regjimi i Lukashenkës ka lehtësuar për kalimet e paligjshme të kufijve të jashtëm të bllokut”, thuhet në dokument.
Së fundmi, autoritetet bjelloruse kanë larguar kampet e improvizuara të migrantëve në kufi, dhe kanë transferuar rreth 2,000 persona në një depo, që është shndërruar në një qendër strehimi. Po ashtu autoritetet kanë lejuar që migrantët të kthehen në vendet e tyre të origjinës përmes transportit ajror.
Disa prej migrantëve, që ende janë në Bjellorusi, thonë se kanë shpenzuar mijëra dollarë që të ikin nga vendet e tyre për një jetë më të mirë në BE, por më pas janë keqtrajtuar nga autoritetet polake dhe bjelloruse.
Lukashenka e akuzon BE-në se ka dështuar që të respektojë ligjet ndërkombëtare për azil, pasi po ua refuzon hyrjen migrantëve.
Kriza me migrantë ka rritur tensionet midis Rusisë dhe BE-së. Presidenti rus, Vladimir Putin, që ka mbështetur Lukashenkën në shtypjen e protestave opozitare, po ashtu po mbështet Bjellorusinë sa i përket krizës me migrantë./rel/