BE-ja me qëndrim të butë ndaj Serbisë edhe pas letrës dezinformuese të Petkoviqit
Bashkimi Evropian është treguar sërish i butë ndaj Serbisë, edhe pas letrës dezinformuese që drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën u ka dërguar përfaqësuesve ndërkombëtarë pas mbylljes së së kompanisë paralele të ujësjellësit dhe mbeturinave “Novo Javno Preduzece” e cila ka funksionuar në Shtërpcë.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë të mërkurën se asnjë institucion paralel i Serbisë nuk ka vend në Republikën e Kosovës. Në përgjigjen për KP nga Bashkimi Evropian thonë se statusi i këtyre strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia duhet të zgjidhet përmes dialogut dhe procesit të normalizimit të marrëdhënieve.
“Ne kemi vërejtur se më 23 mars [prill], Policia e Kosovës ka ndërmarrë operacione të tjera ndaj strukturave të mbështetura nga Serbia. Aktualisht jemi në pritje të informacioneve shtesë për të sqaruar plotësisht faktet në lidhje me situatën,” thuhet në përgjigjen e BE-së, ndërkohë që nuk janë përgjigjur direkt kur janë pyetur për letrën dezinformuese.
Siç kanë raportuar mediat serbe, Petar Petkoviq u ka dërguar të enjten letër përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë, përfshirë edhe Peter Sorensen, për gjoja “dhunën ndaj serbëve dhe joshqiptarëve të tjerë në Kosovë”.
Sipas kësaj letre, Petkoviq pretendon se gjoja “Kosova synon depërshkallëzimin e rajonit”.
“Leposaviqi, si dhe bastisja në objektet e Ndërmarrjes së Re Publike në Shtërpcë, kanë për qëllim zbatimin e një politike të persekutimit të motivuar etnik të serbëve dhe joshqiptarëve të tjerë, dhe mbylljen e rreth 110 institucioneve përmes krijimit dhe mirëmbajtjes së kushteve të padurueshme të jetesës”, citohet të ketë thënë ai.
Rruga Press