Bota

BE-ja kritikon Orbanin për takimin e mundshëm me Putinin

Udhëheqës të Bashkimit Evropian (BE) kanë shprehur shqetësimin mbi takimin e mundshëm mes kryeministrit hungarez, Viktor Orban dhe presidentit rus, Vladimir Putin, i cili është raportuar të mbahet të premten në Moskë.

Orban, është kreu i vetëm i bllokut të BE-së, që ka mbajtur lidhje të ngushta me Kremlinin pas pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel ka thënë se Orban nuk ka mandat për t’u angazhuar me Rusinë në emër të BE-së, ndërsa kryeministri polak, Donald Tusk ka kërkuar sqarime mbi këtë takim të planifikuar.

Lexo më shumë  Kanadaja ia dorëzoi forcave ukrainase sistemin ushtarak NASAMS

“Presidenca e radhës e Bashkimit Evropian nuk ka mandat të angazhohet me Rusinë në emër të BE-së. Këshilli Evropian është i qartë: Rusia është agresori, Ukraina është viktima. Asnjë diskutim për Ukrainën nuk mund të bëhet pa Ukrainën”, ka shkruar Michel në rrjetin social X.

Në fillim të kësaj jave, Orban vizitoi Kievin, prej nga bëri thirrje për armëpushim, si një mjet, që sipas tij, do të përshpejtonte negociatat e paqes. 

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili ka pasur marrëdhënie të ftohta me Orbanin, nuk i është përgjigjur publikisht propozimit.

Orban ka qenë kritik i zëshëm i mbështetjes perëndimore për Ukrainën, raporton “BBC”.

Vizita e së martës në Kiev ishte e para e tij në 12 vjet, megjithëse ai u takua vazhdimisht me Putinin gjatë asaj kohe.

Rruga Press

YouTube player