BE-ja kërkon lirimin e liderëve të arrestuar gjatë grusht shtetit në Sudan
Ushtria e Sudanit ka rrëzuar qeverinë civile, duke arrestuar liderët politikë të vendit. Drejtuesit ushtarakë kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme në vend.
Gjenerali Abdel Fatah Burhan, i cili më parë drejtonte këshillin e përbashkët me liderët civilë, ka thënë se ushtria e mori situatën në dorë për shkak të përplasjeve politike.
Protestuesit kanë dalë menjëherë në rrugët e kryeqytetit Kartum, ku është raportuar edhe për të shtëna armësh. Liderët civilë dhe ushtarakë kanë pasur mospajtime të thella qysh prej rrëzimit të diktatorit Omar Bashir dy vjet më parë dhe pas formimit të qeverisë transitore.
Protestuesit kanë nisur të vendosin barrikada në shtetin e Afrikës Veriore. Ata i janë afruar edhe zonës së Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së Sudanit.
Demonstruesit kanë thënë se janë të gatshëm që të vdesin për transicionin demokratik të vendit.
Kryeministri Abdallah Hamdok është në mesin e atyre që raportohet se janë nën arrest shtëpiak, bashkë me anëtarë të tjerë të kabinetit dhe liderë civilë.
Komisioni Evropian ka bërë thirrje për lirim të menjëhershëm të liderëve civilë të vendit. Ndërkaq Kina u ka adresuar thirrje palëve që t’i zgjidhin dallimet nëpërmjet dialogut.
Rruga Press