BE-ja duhet ta kuptojë se integrimi i Serbisë brenda vetes, do të thotë të integrojë një përfaqësuese të Rusisë brenda BE-së
Nga Donik Sallova
BE-ja duhet ta kuptojë se ta integrojë Serbinë brenda vetes do të thotë të integrojë një përfaqësuese të Rusisë brenda strukturave dhe organizmave të cilat do të përdoren nga Serbia për të mbrojtur në rrethana të ngjashme të së ardhmes të njejtat interesa ruse ajo që po i mbron sot. Mentaliteti hegjemonist e pansllavist i Serbisë nuk ka ndryshuar asnjëherë pavarësisht ndryshimit të rrethanave përgjatë dekadave. Pavarësisht rënies së botës komuniste, Serbia asnjëherë nuk ka qenë demokratike.
Modeli i saj i shtetit është i ndërtuar sipas modelit të Rusisë së Putinit në të cilin nuk gjendet asnjë tipar i shtetit liberal-demokratik. Shtet autoritar, kriminalo-oligark, me struktura paramilitare, me zgjedhje të pamundshme për opozitën, me media propagandistike, me Kishën të pandarë nga politika hegjemoniste e shtetit. Dhe ta mendosh që ky shtet ka statusin e vendit kandidat për në BE dhe Kosovës akoma i bëhet presion që të bëjë kompromise në kurriz të interesit të saj me shpresën që Serbia do mbajë orientim euro-perendimor! Serbia kurrë në historinë e saj nuk ka qenë perëndimore dhe dyshoj nëse do të jetë ndonjëherë, sepse shoqëria serbe kurrë nuk është emancipuar me vlerat perëndimore të lirisë e demokracisë. Prandaj, të besosh se Serbia mund të bëhet shtet i BE-së, duke qenë shtet dhe shoqëri thelbësisht joliberale e jodemokratike, e lidhur kulturalisht e politikisht me Rusinë autoritariste, e pa denacifikuar nga fashizmi shekullor i ushtruar veçanërisht ndaj shqiptarëve, nuk ka asnjë shpjegim përveç se për një kohë të gjatë teknokracia e BE-së ka qenë nën influencën e politikës ruse.
Rruga Press