BE dënon kufizimet e vendosura, Costa: Sanksionet e SHBA-së, të papranueshme
Bashkimi Evropian ka dënuar ashpër kufizimet e udhëtimit të vendosura nga Shtetet e Bashkuara ndaj disa qytetarëve dhe zyrtarëve evropianë, duke i cilësuar ato si të papranueshme mes aleatëve dhe partnerëve strategjikë.
“Masa të tilla janë të papranueshme midis aleatëve, partnerëve dhe miqve”, theksoi BE-ja në reagimin e saj zyrtar, duke nënvizuar se këto veprime bien ndesh me vlerat e përbashkëta demokratike.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, deklaroi se Bashkimi Evropian mbron me vendosmëri lirinë e shprehjes, rregullat e drejta dixhitale dhe sovranitetin e tij rregullator, duke theksuar se këto parime janë thelbësore për funksionimin e BE-së.
Edhe Komisioni Evropian reagoi përmes një deklarate, ku dënoi vendimin e autoriteteve amerikane për të vendosur kufizime udhëtimi ndaj pesë qytetarëve evropianë, përfshirë ish-Komisionerin Evropian Thierry Breton.
“Komisioni Evropian dënon fuqimisht vendimin e Shteteve të Bashkuara për të vendosur kufizime udhëtimi për pesë qytetarë evropianë. Liria e shprehjes është një e drejtë themelore në Evropë dhe një vlerë bazë e përbashkët me Shtetet e Bashkuara në botën demokratike”, thuhet në deklaratë.
Reagimi i BE-së vjen në një kohë tensionesh të shtuara lidhur me rregullimin e hapësirës dixhitale dhe kompetencat rregullatore, duke nxjerrë në pah dallimet mes dy partnerëve tradicionalë transatlantikë.
Rruga Press

