Lajme

Bashkia e Tiranës i rriti vetes pagat në “mbledhjen me regji” ku u ndalua hyrja e gazetarëve

Këshilli Bashkiak i Tiranës mbajti të enjten mbledhjen e fundit përpara pushimeve, ku u miratuan 9 vendime.

Sipas nenit 58 të  rregullores për organizimin dhe funksionimin e Këshillit Bashkiak Tiranë, media ka të drejtën të ndjekë mbledhjet e këshillit.

“Në fund të sallës, për aq vende sa ka salla, zënë vend të ftuarit dhe përfaqësuesit e medias elektronike dhe të shkruar”, thuhet në rregullore.

Citizens Channel iu drejtua Bashkisë Tiranë për të ndjekur mbledhjen e ditës së djeshme sipas rregullores, por nuk u lejua ta ndjekë atë më argumentin se “mbledhja është me regji dhe mund ta ndiqni online”.

Edhe pas këmbënguljes dhe citimit të rregullores punonjësit e Bashkisë Tiranë nuk na lejuan ta aksesojmë mbledhjen, duke përsëritur se është më regji. Kjo fjali u komunikua nga 4 nëpunës të bashkisë Tiranë teksa tentonim të ndiqnim mbledhjen.

“Ka urdhër nga drejtori i medias në Bashkinë Tiranë dhe kemi probleme teknike, nuk mund ta aksesosh mbledhjen”, u shpreh njëri prej nëpunësve.

Kështu mbledhja e djeshme e Këshillit Bashkiak të Tiranës përsëri u mbajt pa praninë e mediave.

Sakaq transmetimi i saj online përmes regjisë ka pasur probleme, ku pas përfundimit të fjalës së kryetarit të bashkisë Erion Veliaj është ndërprerë audio në mënyrë të përsëritur.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti vendos gurthemelin e nënstacionit policor të policisë kufitare në Izvor të Zveçanit, dy kilometra nga kufiri me Serbinë

Anëtarja e Këshillit Bashkiak Beti Njuma e ka denoncuar mungesën e transparencës që sjell transmetimi i mbledhjes me regji, duke theksuar rëndësinë e pranisë së medias në mbledhje.

Përmes një postimi në rrjetet sociale ajo është shprehur se transmetimi online nuk i ka shfaqur pjesët e rëndësishme të mbledhjet, momente kur kryebashkiaku pyetet për inceneratorët.

“Nuk shihej e nuk dëgjohej asgjë pikërisht kur ishte më e nevojshme. Kur këshilltarët e opozitës drejtonin pyetje dhe bënin debat për buxhetin e bashkisë ku çështja më e rëndësishme kishte të bënte me një pyetje së cilës zoti Veliaj nuk iu përgjigj: Sqarimin publikisht për qytetarët që paguajnë taksa se sa para derdhe për inceneratorin e Tiranës nga ky buxhet?”, është shprehur Njuma.

Transmetim i mbledhjes ka vijuar 2 orë pa zë dhe figurë pas përfundimit të mbledhjes.

Këshilli Bashkiak i Tiranës mes mungesës së transparencës ka miratuar ditën e djeshme 8 vendime, ndër to rritjen e pagave për punonjësit e bashkisë.

Këshilli Bashkiak miratoi dje rritjen e pagave për funksionarët dhe punonjësit e niveleve të ndryshme. Paga e kryetarit të Bashkisë u rrit me 82%.

Në mbledhjen e djeshme u diskutua dhe miratua plani buxhetor afatmesëm 2024-2026.

Sipas këtij plani, Bashkia Tiranë planifikon të japë më shumë leje ndërtimi dhe të rrisë tarifat për çerdhet dhe kopshtet.

Anëtarja e Këshillit Bashkiak nga Lëvizja Bashkë, Mirela Ruko e ka denoncuar këtë në profilin e saj duke u shprehur se vizioni i bashkisë Tiranë për zhvillimin e qytetit është ai i “Tiranës turistike”, “i cili është modeli i qyteti në shërbim të turizmit dhe jo banorëve, të cilëve ua pamundëson çdo ditë edhe më shumë jetesën”.

Lexo më shumë  ​27 vjet më parë nisën luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe

Edhe në fjalën e saj në mbledhjen e këshillit, Ruko ka denoncuar rritjen maksimale të pagave për kryetarin dhe funksionarët publik.

Rritja e pagave të funksionarëve të Bashkisë Tiranë vjen pas miratimit me debate të rritjes së pagave për deputetët dhe ministrat.

Më 25 Maj, Parlamenti votoi unanimisht kalimin e projektligjit për “Kompetencat për caktimin e pagave”, sipas të cilit deputetët përfitojnë rritjen më të madhe me 98%. Kjo rritje që thellon edhe me tej pabarazinë e pagave mes funksionarëve publik u kundërshtua vetëm nga tre deputetë të opozitës.

Tre vendime të tjera që u miratuan ditën e djeshme ishin, trajtimi me subvencion qiraje i disa familjeve në nevojë “që nuk përballojnë dot tregun e lirë”. Dhënia e ndihmës financiare për 29 familje që kanë pësuar dëme si pasojë e zjarrit, tërmetit dhe përmbytjeve.

Së fundmi u miratua një projektvendim  “Për emërtimin e institucionit arsimor bazë, me vendndodhje në fshatin Mangull, njësia administrative Petrelë, Tiranë, “Feti Fanaj”. /citizenchanel/

Rruga Press

YouTube player