Banorët e Lurës protestë kundër HEC-it: Krim mjedisor, na rrezikohet jeta
Banorët e Lurës janë ngritur në protestë sot kundër ndërtimit të hidrocentralit në zonën e Lurës. Ata kanë zhvilluar një protestë para zyrave të “Balkan Green Economy”. Ata kanë denoncuar problematikat që po hasin nga ky projekt dhe kanë kërkuar takime me koncesionarët dhe administratorët, por deri tani nuk ka asnjë zgjidhje për këtë situatë.
Qytetarët e kanë cilësuar këtë ndërtim si një masakër mjedisore, duke shprehur shqetësimin se një rrezik i mundshëm mund t’u kanoset. Ata kanë paralajmëruar se protesta do të përshkallëzohen nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, dhe kanë theksuar se do t’i dërgojnë kërkesat dhe dokumentat deri në SPAK.
Qytetarët kërkojnë që të ndërhyhet për të rregulluar zonën dhe rrugën, ose të mbetet ajo që ekziston tashmë. Ata kanë akuzuar koncesionarin për arrogancë dhe mosdëgjim, duke theksuar se këta të fundit nuk kanë pranuar as t’i takojnë.

Një nga qytetarët tha: “Nëse italiani sheh se çfarë ka bërë koncesioneri në Lurë, do të vendosë duart në kokë.”
Ata shprehen se janë treguar tolerantë deri tani, por kjo ka ndodhur për shkak të shkëputjes së qytetarëve nga zona, duke bërë që vëmendja të mos ishte e plotë. “Tashmë që ata janë kthyer në vendlindje, nuk kanë pasur as dinjitetin të na presin në zyrë. Kjo është arrogancë e paparë,” thanë ata.
Një qytetar tjetër ka kërkuar një përballje me koncesionarin, duke theksuar se ata nuk kërkojnë që zona të mos zhvillohet, por vetëm që të respektohen parametrat ligjorë.
Ai ka shtuar se nuk mund të lejohet që një shqiptar të bëjë një masakër të tillë në Itali, dhe kërkon përgjigje për këtë. “Sot jemi në një protestë paqësore, por do ta përshkallëzojmë deri në SPAK nëse është e nevojshme,” ka përfunduar ai.
Rruga Press