Lajme

Banka e Shqipërisë: Situata financiare e familjeve, më e keqja që nga periudha e pandemisë

Rritja e vazhdueshme e çmimeve, sidomos atyre të ushqimeve rezulton se po rëndon buxhetin e familjeve çdo muaj e më shumë.

Sipas vrojtimit të Besimit të Konsumatorëve të Bankës së Shqipërisë për muajin prill, shumica e familjeve kanë deklaruar se situata e tyre financiare është përkeqësuar gjatë 12 muajve të fundit.

Familjeve u bëhet pyetja e mëposhtme:

Si ka ndryshuar situata financiare e familjes suaj gjatë 12 muajve të fundit?

Është përmirësuar shumë
Është përmirësuar
Nuk ka ndryshuar
Është keqësuar
Është keqësuar shumë
Nuk e di

Balanca e përgjigjeve për muajin prill 2022 është gati -17, që tregon se 17% më shumë familje mendojnë që situata e tyre familjare është përkeqësuar 12 muajt e fundit, në raport me ata që thonë se është përmirësuar.

Ky është niveli më negativ që nga prilli 2020 (-18.4), kur vendi sapo kishte filluar të vuante pasojat e pandemisë dhe vendosjes së karantinës, që mbylli papritmas shumë biznese dhe la shumë të papunë. Më pas, situata filloi të përmirësohej gradualisht, duke arritur në një balancë prej -7 në shtator 2021.

Por, fillimi i rritjes së çmimeve duket se ka përkeqësuar sërish buxhetet e familjeve, që me të njëjtën sasi parash po blejnë gjithnjë e më pak produkte.

Lexo më shumë  Kearns-Vuçiqit: Mohimi, vazhdimësi e krimeve – çka nisi me vrasje po vazhdon me falsifikim të historisë

Në prill, inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve të një shporte mallrash të caktuar, kërceu në 6.2% në prill, në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë. Ky është një tjetër rekord i ri, pas nivelit të marsit, që arriti në 5.7%.

Kjo është rritja më e fortë e çmimeve me të cilën po përballen familjet dhe individët që nga viti 2001, kur inflacioni ishte 7.6%.

Ky shtrenjtim duket se ka goditur më shumë familjet me të ardhura të ulëta. Shpenzimet e familjeve shqiptare për blerjen e produkteve bazë të shportës, si bukë, vaj, bulmet dhe sheqer janë rritur me ritme dyshifrore në prill nga 14 deri në 24 për qind, duke ushtruar presion të lartë sidomos tek buxhetet e familjeve të varfra.

Familjet e varfra në Shqipëri çojnë gati 60 për qind të buxhetit mujor për konsumin e ushqimeve, ndaj shtrenjtimi i tyre më shumë gjasë do të përkeqësojë mbijetesën e tyre. Shqipëria ka rreth 640 mijë njerëz që jetojnë ne varfri, me më pak se 5.4USD në ditë, duke e renditur vendin tonë me nivelin më të lartë me varfërinë më të madhe në Rajon ndonëse me rënie të djeshme nga viti 2020.

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Në të kundërt, për familjet me të ardhura të larta, situata duket më e përmirësuar. Nga vrojtimi i Bankës së Shqipërisë rezultoi një përmirësim i lehtë për pritshmëritë për blerjet e mëdha për makina, blerje shtëpie, apo rinovim shtëpie.

Gjithsesi, pavarësisht përmirësimit, balanca e përgjigjeve për pyetjet që lidhen me blerjet e mëdha mbetet tepër negative.

Për blerje shtëpie, në tremujorin e fundit 2021 balanca ishte -87.1 (nga -88.86 në tremujorin e mëparshëm), që tregon se 87% më shumë familje nuk kanë mundësi të blejnë apo ndërtojnë një shtëpi, në krahasim me ata që kanë.

Pesimizmi për pritshmëritë financiare për 12 muajt e ardhshëm është ulur disi në vrojtimin e prillit, ndonëse balanca mbetet ndër nivelet më negative që ku hartohet ky indeks.

Për prillin, balanca e përgjigjeve ishte -7.9, nga -11.8 që ishte në mars, niveli historik negativ që nga maji 2016./Monitor

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *