Banka e Shqipërisë rrit përsëri normën bazë të interesit, inflacioni më i lartë sesa pritej
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë rriti sot normën bazë të interesit me 0.5 pikë përqindje, duke e çuar në 2.25%. Kjo është rritja e katërt e e aplikuar gjatë këtij viti dhe tashmë norma bazë e interesit ka arritur nivelin më të lartë që prej vitit 2014.
Këshilli Mbikëqyrës vendosi gjithashtu të rrisë më tej me gjysmë pikë normën e interesit të depozitës njëditore nga 0.75% në nivelin 1.25% si dhe normën e interesit të kredisë njëditore tnga 2.75% në 3.25%.
Në argumentimin e vendimit, Guvernatori, Gent Sejko, tha se sërish presionet e jashtme inflacioniste po rezultojnë më të forta dhe më të qëndrueshme nga sa parashikohej.
“Informacioni i ri i marrë në analizë sugjeron se goditjet e ofertës dhe rritja e pasigurisë në tregjet botërore, po transmetohen në rritje të inflacionit dhe ngadalësim të ritmit të rritjes ekonomike në vend. Në veçanti, presionet e huaja inflacioniste vlerësohen të jenë më të forta e më të qëndrueshme se vlerësimet tona të mëparshme. Po ashtu, kërkesa në rritje për mallra e shërbime në vend, tregu dinamik i punës dhe pritjet për norma të larta inflacioni, po lehtësojnë përhapjen e tyre në ekonominë shqiptare. Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se rritja e shpejtë e çmimeve mbetet rreziku kryesor për stabilitetin monetar e financiar të vendit dhe për rritjen e qëndrueshme e afatgjatë të tij. Në këto rrethana, Këshilli vendosi të vijojë normalizimin e qëndrimit të politikës monetare. Ky normalizim synon të krijojë kushtet e nevojshme për kthimin gradual të inflacionit në objektiv, brenda një horizonti kohor të arsyeshëm dhe me kosto sa më të ulëta për aktivitetin e brendshëm ekonomik,” tha Sejko.
Në veçanti, ecuria e tregut të puëns sinjalizon përmirësim të kërkesës së brendshme, ndërsa rritja e pagave, e nxitur edhe nga mungesa e punonjësve sidomos në disa sektorë të veçantë të ekonomisë, rrezikon ta bëjë inflacionin më të qëndrueshëm dhe të gjenerojë një spirale inflacioniste.
“Trendi rritës i kërkesës për mallra e shërbime ka sjellë një shfrytëzim gjithnjë e më të plotë të kapaciteteve prodhuese në vend. Kjo tendencë është veçanërisht prezente në tregun e punës, ku shkalla e papunësisë zbriti në minimumin historik prej 11.1% në tremujorin e dytë. Rritja e kërkesës për punë dhe mungesa e fuqisë punëtore po ushtrojnë presione rritëse mbi pagat në sektorin privat. Kjo ecuri siguron mbështetje për të ardhurat e familjeve shqiptare në periudhën në vazhdim, por është edhe premisë për një qëndrueshmëri më të gjatë në kohë të presioneve inflacioniste,” tha Guvernatori.
Sipas tij, inflacioni pritet të mbetet i lartë në dy tremujorët në vazhdim dhe të nisë rënien në periudhën pasuese. Ky parashikim faktorizon pritjet për zbutjen progresive të presioneve inflacioniste në ambientin e huaj. Gjithashtu, ai kërkon normalizimin e qëndrimit të politikës monetare, për të siguruar kontrollin e efekteve të raundit të dytë në ekonominë vendase.
Nga ana tjetër, përditësimi i parashikimeve sugjeron se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, ndonëse ritmi i rritjes do të jetë disi më i ulët. Përkeqësimi i perspektivës ekonomike në Evropë, ndikimi negativ që çmimet e larta kanë në fuqinë blerëse të familjeve, si dhe reduktimi i stimulit fiskal, pritet të ngadalësojnë konsumin familjar dhe investimet e bizneseve në vijim. Por, sipas Bankës së Shqipërisë, niveli i lartë i depozitave, rritja e punësimit dhe e pagave, rritja e kredisë bankare dhe paketat e rezistencës sociale pritet të sigurojnë mbështetje për bilancet e sektorit privat.
Ai paralajmëroi se procesi i normalizimit të politikës monetare do të vijojë edhe gjatë tremujorëve në vazhdim.
“Në gjykimin e Këshillit, normalizimi gradual i qëndrimit të politikës monetare, nga pozicioni tejet stimulues i saj në trajtat aktuale në një pozicion më neutral, është një masë e domosdoshme për respektimin e objektivit tonë të inflacionit të çmimeve. Në këtë këndvështrim, ky normalizim i shërben stabilitetit të përgjithshëm ekonomik dhe financiar të vendit, rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë dhe përmirësimit të mirëqenies sociale. Në konsistencë me komunikimet e kaluara dhe me parashikimet tona afatmesme, Këshilli Mbikëqyrës thekson se cikli normalizues i politikës monetare do të vijojë edhe në tremujorët në vazhdim. Në çdo rast, shpejtësia e normalizimit do të jetë në përputhje me të dhënat e reja dhe e mjaftueshme për të respektuar objektivin tonë afatmesëm të inflacionit,” tha Sejko.
Edhe pas mbledhjes së sotme, Banka e Shqipërisë rikonfirmoi projeksionin se inflacioni pritet të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2024./Monitor
Rruga Press